
Hëna e plotë që i paraprin Pashkëve shkëlqen fort mbi majat e errëta të Dolomiteve, në këtë pamje të kapur nga astrofotografja italiane Alessandra Masi më 2 prill.
Fotografia është bërë në rajonin Cadore, midis Venetos dhe Friuli-Venezia Giulia, i njohur si Vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO.
"Këtë vit, kjo Hënë e plotë sjell me vete një emocion shtesë", tha për ANSA-n Masi, fotot e së ciliws janë përzgjedhur nga NASA si Foto e Ditës (Apod). "Ndërsa e sodisim, mund ta imagjinojmë një ekuipazh që e vëzhgon nga afër. Astronautët e Artemis II, misioni që do t'i sjellë njerëzit përsëri në Hënë pas më shumë se gjysmë shekulli, do të jenë në orbitën e saj, dhe ne vetëm mund të ëndërrojmë për atë që ata duhet të ndiejnë."
Pashkët paraprihen gjithmonë nga një hënë e plotë. Data e kësaj feste, e cila ndryshon çdo vit, është vendosur të dielën e parë pas hënës së plotë që vjen pas ekuinoksit të pranverës. Kjo u krijua në vitin 325 pas Krishtit gjatë Këshillit të Nikesë për të dalluar Pashkët e Krishtera nga ato Hebraike.
"Nuk është thjesht një spektakël në qiell, por sinjali që shënon sezonin e Pashkëve, duke na kujtuar lidhjen e thellë midis kalendarit njerëzor dhe cikleve natyrore", shton Masi.
Futja e kalendarit Gregorian, ai që përdorim edhe sot, në vitin 1582 e ndërlikoi disi llogaritjen e datës së Pashkëve, por konventa e hënës së plotë mbeti, duke prodhuar një gamë datash jashtë të cilave kjo festë nuk mund të bjerë kurrë. Intervali zgjat nga 22 marsi deri më 25 prill.
Ndryshe nga Kisha Katolike, Kisha Ortodokse ende ndjek kalendarin Julian të vendosur nga Jul Cezari. Kjo do të thotë se në disa raste të rralla dy festat e Pashkëve festohen në të njëjtën ditë. Hera e fundit ishte vitin e kaluar dhe rastësia tjetër do të bjerë në vitin 2028. (A2 Televizion)