Imazhi si gjuhë e parë: Zajmira Qaraxhiu pranë shtëpive prestigjioze të modës Channel dhe Dior

Nga Freskida Miloti
23 Gusht 2026, 18:40 | Lifestyle

Imazhi është një nga mënyrat e para përmes të cilave prezantohemi tek të tjerët. Përtej modës dhe tendencave, mënyra se si vishemi, kujdesemi për veten dhe ndërtojmë stilin personal mund të ndikojë në mënyrën se si ndihemi dhe si komunikojmë me të tjerët.

E ftuar në emisionin “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, në rubrikën “Impakt shëndet” sipërmarrësja, stilistja dhe kuratorja e imazhit Zajmira Qaraxhiu foli për rëndësinë e imazhit në jetën personale dhe profesionale, kodin e veshjes, vetëbesimin, kujdesin ndaj vetes, por edhe për rolin që sporti dhe disiplina kanë pasur në rrugëtimin e saj.

“Imazhi është gjuha e parë që flet për ne”

Sipas Zajmira Qaraxhiut, imazhi është një element i rëndësishëm i mënyrës se si krijojmë marrëdhënie me të tjerët.

“Imazhi është shumë i rëndësishëm. Mund të them që është një hap i domosdoshëm”, u shpreh ajo.

Në takimet profesionale, intervistat e punës, eventet apo aktivitetet ku kërkohet një kod i caktuar veshjeje, respektimi i protokollit është pjesë e komunikimit.

Sipas saj, veshja nuk duhet parë vetëm si një çështje estetike. Ajo lidhet edhe me respektin ndaj ambientit, eventit dhe njerëzve me të cilët ndërveprojmë.

“Duhet respektuar vendi, duhet respektuar eventi, duhen respektuar njerëzit që janë aty”, tha Qaraxhiu.

“Vetëbesimi nuk blihet me marka.”

Një nga mesazhet që stilistja përcolli gjatë intervistës ishte se eleganca nuk përcaktohet nga marka apo çmimi i veshjes.

Ajo theksoi se një person mund të prezantohet shumë mirë edhe pa veshur marka të shtrenjta, nëse njeh trupin, stilin dhe karakteristikat e veta.

“Nuk është firma që të bën që ti del e veshur mirë. Nuk është leku ai që thua: ‘Sa e bukur jam se ke veshur Chanel’. Absolutisht jo”, u shpreh ajo.

Sipas Qaraxhiut, një veshje e pastër, e përshtatshme dhe e kombinuar me kujdes mund të krijojë një paraqitje shumë të mirë, pavarësisht mundësive ekonomike.

Ajo e sheh njohjen e vetes si pikënisjen e ndërtimit të stilit personal.

“Njohja e vetes është hapi i parë”, theksoi ajo.

“Kujdesi për veten shkon përtej veshjes.”

Për Qaraxhiun, imazhi nuk ndërtohet vetëm përmes garderobës.

Ajo theksoi rëndësinë e dijes, kulturës, leximit dhe mënyrës se si një person komunikon dhe sillet.

“Nuk do të thoja që është vetëm veshja. Një njeri duhet të investojë dhe në dije, në kulturë, në lexim librash. Të gjitha janë këto që të plotësojnë atë imazhin”, tha ajo.

Veshja, sipas saj, është vetëm një pjesë e një tabloje më të madhe që përfshin personalitetin, kulturën, komunikimin dhe vetëbesimin.

“Duhet të jemi të kuruar në maksimum”

Kujdesi për veten nuk duhet të lidhet me perfeksionin, por me mënyrën se si ndihemi me veten.

Qaraxhiu rekomandon që përpara se të dalim nga shtëpia të shohim edhe një herë veten në pasqyrë dhe të vlerësojmë nëse kemi tepruar me elementët e veshjes.

Ajo solli edhe një këshillë të njohur të Coco Chanel: të heqësh diçka nga veshja përpara se të dalësh.

Sipas saj, momenti kur një person ndihet mirë me veten mund të ndikojë edhe në mënyrën se si përballon ditën.

“Blerja si mënyrë për të përballuar stresin.”

Gjatë intervistës u diskutua edhe marrëdhënia mes gjendjes emocionale dhe blerjeve.

Freskida Miloti ngriti pyetjen nëse njerëzit, veçanërisht gratë, mund të përdorin blerjen e veshjeve si një mënyrë për t’u ngushëlluar apo për të përballuar momente të vështira.

Qaraxhiu pranoi se kjo është një situatë që e ka hasur shpesh.

Sipas saj, problemi nuk është domosdoshmërisht mungesa e veshjeve, por mënyra se si reagojmë emocionalisht ndaj dëshirës për të blerë diçka të re.

Ajo rekomandon një qasje më inteligjente ndaj garderobës: më pak veshje, por më shumë mundësi kombinimi.

“Me pak veshje në dollap ti mund t’i kombinosh shumë mirë me njëra-tjetrën dhe ti je gjithmonë e veshur mirë”, tha ajo.

“Guximi për të krijuar identitetin personal.”

Njohja e vetes, sipas Qaraxhiut, i jep individit edhe guximin për të eksperimentuar.

Ajo solli si shembull aktoren dhe ikonën e modës Sarah Jessica Parker, të cilën e konsideron një nga figurat frymëzuese të modës së dekadave të fundit.

Sipas saj, Parker ka krijuar një stil të dallueshëm përmes kombinimeve të guximshme, ngjyrave dhe elementeve teatrale.

“Duhet të guxosh, por duke njohur veten”, u shpreh Qaraxhiu.

Për të, qëllimi nuk është thjesht të ndjekësh një trend, por të krijosh një identitet autentik.

Chanel dhe Dior: dy mësime për elegancën

Qaraxhiu ka ndjekur specializime dhe masterclass pranë shtëpive prestigjioze të modës, ndër të cilat Chanel dhe Dior.

Ajo e përshkroi Chanel-in si një burim të rëndësishëm frymëzimi dhe veçoi një koncept që e konsideron themelor: eleganca përmes thjeshtësisë.

“Te Chanel unë kam mësuar këtë që eleganca është thjeshtësi”, tha ajo.

Ndërsa nga Dior, sipas saj, rëndësi të veçantë ka aftësia për të krijuar ekuilibër mes ngjyrës, figurës, siluetës, sensualitetit dhe identitetit të personit.

“Duhet të dish të krijosh ekuilibër ndërmjet ngjyrës, figurës, siluetës së personit dhe identitetit të saj”, shpjegoi Qaraxhiu.

“Sporti dhe disiplina si pjesë e suksesit.”

Përtej modës dhe sipërmarrjes, rrugëtimi i Zajmira Qaraxhiut është i lidhur edhe me sportin.

Ajo ka qenë volejbolliste dhe zhytëse profesioniste, eksperienca që, sipas saj, i kanë mësuar rëndësinë e disiplinës, rregullit dhe punës në ekip.

“Në volejboll ti ke lojë skuadre, ekip, rregull, disiplinë dhe të gjitha këto të sjellin që ti të arrish në një rezultat”, tha ajo.

Ajo e sheh edhe dështimin si pjesë të procesit të suksesit.

Sipas saj, një pikë e humbur në një ndeshje nuk do të thotë se gjithçka ka përfunduar. Mundësia për të fituar pikën tjetër mbetet gjithmonë.

35 metra nën ujë: eksperienca që kërkon disiplinë

Një nga pjesët më interesante të intervistës ishte rrëfimi për eksperiencat e saj në zhytje.

Qaraxhiu tregoi se ka zbritur deri në 35 metra nën ujë, duke e përshkruar zhytjen si një eksperiencë që e vendos njeriun përballë natyrës, por njëkohësisht kërkon përqendrim dhe kontroll të plotë.

“Ti je totalisht jashtë botës që ne kemi, domethënë zhurmshme”, tha ajo.

Por bukuria e botës nënujore shoqërohet me përgjegjësi. Në thellësi, çdo veprim duhet të jetë i kontrolluar dhe rregullat e zhytjes duhet të respektohen me përpikëri.

Për Qaraxhiun, kjo eksperiencë ka ndikuar edhe në mënyrën se si e sheh biznesin dhe jetën.

“Çdo gjë duhet të jetë e ndërthurur derisa rezultati duhet të jetë maksimum”, u shpreh ajo.

“Mjekun dhe mësuesin i quaj mision”

Në pjesën e fundit të intervistës, biseda u zhvendos te shëndeti dhe marrëdhënia e Qaraxhiut me profesionistët e shëndetit.

Ajo tregoi se gjatë viteve ka krijuar miqësi me shumë mjekë në Shqipëri dhe Itali, ndërsa në familje ka edhe profesionistë të fushës së shëndetësisë.

Për të, profesioni i mjekut nuk është thjesht një profesion.

“Mjekun dhe mësuesin unë i quaj mision, se ti ke jetën e të tjerëve në duart e tua, të ardhmen e fëmijëve në duart e tua”, tha Qaraxhiu.

Ajo e vlerësoi veçanërisht faktin që profesionistët e shëndetit vendosin shpesh nevojat e të tjerëve përpara vetes.

“Kujdesi për veten nis nga mënyra se si e shohim veten.”

Në fund të intervistës, mesazhi i Zajmira Qaraxhiut ishte se imazhi nuk duhet të reduktohet në veshje apo në marka.

Ai ndërtohet nga mënyra se si e njohim veten, si kujdesemi për veten, si komunikojmë dhe sa të sigurt ndihemi në identitetin tonë.

Të ndihesh mirë me veten nuk kërkon domosdoshmërisht luks. Kërkon njohje të vetes, kujdes, ekuilibër dhe autenticitet.

Në këtë kuptim, moda bëhet vetëm një nga mjetet përmes të cilave njeriu shpreh atë që është. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos