Një specie e re, e zbuluar në një shpellë në Alabama të Shteteve të Bashkuara, mund të jetë ndër peshqit më të rrallë në botë. Studiuesit e kanë quajtur atë Demogorgonichthys arcanus, ose “peshku demon i shpellës”, për shkak të pamjes së pazakontë dhe ngjashmërisë me përbindëshin Demogorgon të serialit “Stranger Things”.
Peshku u zbulua në Shpellën Bobcat, pranë Huntsville, gjatë një studimi të sistemit të shpellave nga biologu Matthew Niemiller, transmeton A2. Ai priste të gjente specie të njohura të faunës së shpellave, por u përball me një krijesë të panjohur më parë për shkencën.
“Peshku demon” nuk ka sy dhe nuk ka fare pigment në trup. Për shkak të lëkurës së tejdukshme, struktura të brendshme, përfshirë trurin, mund të shihen përmes trupit. Ai ka gjithashtu një formë të veçantë të kokës, shpinë të harkuar dhe karakteristika që e dallojnë nga peshqit e tjerë të shpellave.
Fillimisht, studiuesit dyshuan se mund të bëhej fjalë për një variant të peshkut të shpellave jugore. Por analizat gjenetike, skanimet dhe studimet e skeletit treguan se bëhej fjalë për një gjini dhe specie të re.
Shkencëtarët nuk e dinë ende sa ekzemplarë të kësaj specieje ekzistojnë. Në ekspeditën e fundit, Niemiller pa 27 peshq të tillë, por numri nuk konsiderohet përfaqësues i gjithë popullatës. Studiuesit dyshojnë se popullata është shumë e vogël dhe se specia mund të jetë në rrezik kritik zhdukjeje.
Zbulimi, i publikuar në revistën Scientific Reports, tregon gjithashtu se edhe në zona të studiuara prej kohësh mund të fshihen specie ende të panjohura për shkencën. (A2 Televizion)