“Jam zhytur në -40 gradë”, çudit ekonomistja

Nga A2 CNN
20 Janar 2026, 09:55 | Lifestyle

Driada Sopi është ekonomiste me profesion, por ka një pasion tepër të veçantë. Zhytjen në ujëra të akullt, në temperatura që arrijnë deri në -40 gradë. “Para dy viteve kam filluar ta praktikoj larjen me ujë të ftohtë dhe nuk jam ndalur më”, tregon ajo në një intervistë për “Dita jonë” në A2 CNN.

“Gjithmonë më ka pëlqyer jeta e shëndetshme edhe kam qenë mbi peshë. Më pas, duke larguar kilogramët e tepërt kam rënë në dashuri me sportin. Kjo me ujin e ftohtë nisi si sfidë dhe vendosa ta praktikoj pa rrezikuar shëndetin”.

Dhe në fakt, shëndeti i saj kë pësuar transformim total që prej nisjes së zhytjes në ujë të ftohtë. “Nuk e mbaj mend kur kam pasur grip apo kur jam ftohur. Ma ka forcuar imunitetin. Ky është benefiti ndoshta më i madh që e kam parë gjatë praktikimit të kësaj gjëje që po bëj unë. Ka ndodhur që gjithë familja ka qenë me grip dhe unë kam qenë top. Kjo sepse ka një gjë që edhe mjekët e thonë: mikrobet dhe bakteret qëndrojnë në ambiente të ngrohta, jo të ftohta. Në të ftohtë nuk kanë ku të qëndrojnë dhe prandaj kjo ndikon pozitivisht edhe tek imuniteti”.

Prej disa kohës ajo jeton në Kazakistan dhe siç tregon, temperatura më e ulët që ajo është zhytur ka qenë gati -40 gradë celsius, para katër ditësh. “Ende nuk janë postuar ato materiale për shkak se gjithmonë përpunohen. Temperatura ka qenë -38°, por ndjesia afër -40. Kanë qenë disa temperatura ekstreme këto ditë. Kështu që i kemi përballuar edhe ato. Unë momentalisht jetoj në Kazakistan tash një muaj dhe këtu dimri është shumë i fortë dhe shumë i gjatë. Për mua është shumë mirë dhe është një eksperiencë shumë e mirë për të sfiduar veten dhe për të parë sesi trupi im reagon ndaj këtyre kushteve”, shtoi ajo.

“Pas zhytjes, sapo kam dalë, kam vrapuar shpejt te dhoma e zhveshjes, ku janë të gjitha mjetet e nevojshme, dhe gradualisht trupi e merr veten. Qarkullimi i gjakut fillon të normalizohet dhe trupi fillon të nxehet sapo del nga i ftohti”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos