Gjinekologia Eglantina Demaj, në një lidhje direkte me studion e “Dita Jonë” në A2CNN, tregoi fobinë e saj nga injeksionet.
“Fobitë janë të ndryshme, po në rastin konkret unë po fokusohem për të dhënë një lloj tjetër, që është fobia nga injeksionet. Edhe unë personalisht kam fobi nga injeksionet apo shpimet, kryesisht ato të anestezisë që janë lokale tek mjeku stomatolog, por sigurisht edhe injeksionet e tjera, qoftë venoza apo injeksionet muskulare. Në fakt, është jashtëzakonisht e çuditshme. Miqtë e mi më thonë që je mjeke gjinekologe që të duhet të futesh në sallë me urgjenca për të operuar njerëz dhe ke frikë nga injeksionet. Por, janë dy gjëra të ndryshme, sepse mjeku në radhë të parë është qenie njerëzore si gjithë të tjerët. Me të gjithë gjërat që karakterizon çdo lloj qenie njerëzore. Kështu që, është krejtësisht i ndarë përjetimi personal kur bëhet fjalë tek injeksionet tek vetja ime”, deklaroi Demaj.
“Kjo fobia më ka bërë mua të jem akoma edhe më e kujdesshme në raport me pacientët. Pra, i kushtoj rëndësi çdo lloj ankese dhe i jap sugjerim të gjithë njerëzve të shëndetësisë të kenë kujdes edhe nga këto shqetësime apo fobi të vogla të çdo lloj pacienti, sepse në fakt mund të duket e thjeshtë, por një fobi e tillë apo ndjeshmëri pak më e madhe ndaj një shpimi, pacienti pastaj kalon në humbje të koshiencës”, shtoi mjekja gjinekologe. (A2 Televizion)
