“Djersitja e duarve, sinjal për probleme me zorrët”, sinjalet e trupit që nuk duhen shmangur

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2025, 10:40 | Lifestyle

Djersitja e duarve shpesh shihet si një shqetësim i zakonshëm, por sipas natyropates Adelajda Gjonaj, ajo mund të sinjalizojë probleme më të thella në organizëm, veçanërisht në sistemin limfatik dhe në zorrë. Gjonaj theksoi se duart dhe këmbët janë zonat e vetme të trupit pa gjëndra limfatike, prandaj reagojnë më shpejt kur sistemi nuk funksionon si duhet.

“Duart janë treguesi më i mirë. Ato nuk kanë gjëndra limfatike, ndaj nëse djersiten shumë tregon se sistemi limfatik është i bllokuar, toksinat dhe bakteret janë të larta”, tha ajo në "Dita jonë" në A2 CNN.

Sipas saj, djersitja e tepërt mund të lidhet edhe me probleme në tretje, veçanërisht me përpunimin e proteinave, çka ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e sistemit imunitar dhe limfatik. “E gjitha kthehet te zorra. Ajo është organi më i rëndësishëm, deleguesi i patologjive. Kur kemi duar të nxehta, të ftohta ose djersitje të shtuar, gjithçka lidhet me gjendjen e zorrës”, thekson Gjonaj.

E pyetur nëse ka mënyra natyrale për të përmirësuar shëndetin e zorrëve, ajo theksoi se stili i jetesës moderne po ndikon negativisht, pasi shumica e njerëzve jetojnë të ulur për orë të tëra, duke konsumuar ushqim më shumë sesa e harxhojnë. “E para: të mos mbingarkohemi. Jemi një popull i ulur, jo aktiv. Marrim proteina e suplemente, por nuk i harxhojmë”. u shpreh ajo. “Nuk mund të ushqehemi të gjithë njësoj. Duhet të kemi doza të ulëta, por pjata të pasura me fibra, minerale dhe aminoacide. Sasia nuk është e rëndësishme, por cilësia”.

Ajo paralajmëroi se aktiviteti fizik është thelbësor, edhe pse sot ka rënë ndjeshëm. “Flasim për 5 mijë hapa në ditë, por tryezën e kemi gjithmonë plot. Duhet balancë mes asaj që hamë dhe asaj që harxhojmë”, tha natyropatja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos