Sindi Mullai, në një lidhje direkte me studion e “Dita Jonë” në A2CNN, tregoi ndryshimin e besimit të saj fetar nga e krishterë në myslimane.
“Me thënë të drejtën nuk është se ishte shumë e ndërlikuar sepse unë u nisa nga një pikë që e besoja që më përpara kur isha në fenë tjetër. Kështu që për sa kohë besoja në atë gjë, ndodhi normalisht. Por, unë do e nis me diçka që shpesh ma thonë, që është shkruar dhe në Kuran, që shpesh njerëzit fokusohen tek një besim vetëm sepse të parët tanë kanë qenë të atillë dhe duhet patjetër domethënë të ndiqet i njëjti rend, por për mua ndodhi natyrshëm. Unë gjithmonë kam besuar në Zot dhe në një Zot dhe e nisa tek pjesa e Jezusit. Dashuria e madhe që unë kisha për të si profet më bëri që të ndiqja Islamin më pas. Unë nuk dija shumë rreth Islamit në fillim. Dija thjesht çfarë kisha dëgjuar rreth e qark ose nëpër media dhe ndoshta jo gjëra të mira, por më pas kur e hasa vetë e kuptova që kjo është feja ime, kjo është feja e vërtetë”, deklaroi Mullai.
“Isha mes një grupi miqsh dhe miqtë ishin vendas, domethënë nga Arabia Saudite dhe në një moment kur filluam të flisnim për kultura të ndryshme direkt më thanë që “ti je e krishterë, ju besoni që Jezusi është Zot”. I thashë kështu natyrshëm se nuk e besoja që Jezusi është Zot. Unë gjithnjë kam besuar që është profet. Zoti është vetëm një dhe ai që shtangu edhe unë shtanga në të vërtetë. Pastaj fillova duke studiuar më tej pjesën e krishterë çfarë thotë dhe ishte e thjeshtë domethënë. Vetëm nga kjo pikë u nisa. Thashë unë nuk mund të qëndroj në një fe që e bën Zotin të lindë, e barazon me njeriun. Kështu që, ishte e lehtë për mua pastaj të përqafoja Islamin”, shtoi vajza.
Në lidhje me paragjykimet që ka pasur, Mullai u shpreh: “Ka paragjykime patjetër. Kam patur dhe njerëz që janë larguar në kuptimin e shoqërisë ose njerëz që të shihnin paksa çuditshëm. Ka patur dhe nga ato komentues pastaj që mbajnë profilin e Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe kanë dëshirë të shprehen kundër Islamit. Por, që unë nuk intimidohem shumë lehtë. Unë jam tip që besoj tek e mira, tek paqja dhe është ajo që dua të përçoj dhe tek videot e mia. Besoj se kemi shumë nevojë për paqe”.
(A2 Televizion)
