Peshkaqenët misteriozë të thellësive po zhduken për kozmetikë

Nga A2 CNN
27 Nëntor 2025, 10:45 | Lifestyle

Peshkaqenët misteriozë të thellësive po zhduken për

Peshkaqenët gëlltitës, krijesa të çuditshme me sy të gjelbër ndriçues dhe trup të hollë, kanë mbijetuar për miliona vite në thellësitë e oqeaneve. Të gjendur nga 200 deri në 1500 metra thellësi, ata mbeten ende pak të studiuar. Por sot, këta peshkaqenë të lashtë po përballen me një krizë të rrezikshme: tre të katërtat e specieve të tyre janë të kërcënuara me zhdukje.

Shkaku kryesor është kërkesa për vajin e mëlçisë së tyre, i pasur me “squalene”, një përbërës shumë i përdorur në industrinë e kozmetikës për vetitë antioksiduese dhe zbutëse. Ky vaj gjendet në produkte si kremra fytyre, krem kundër diellit, produkte pas rrojës e madje edhe trajtime mjekësore, përcjell A2 CNN. Studimet tregojnë se disa kompani ende e përdorin këtë përbërës, pavarësisht alternativave bimore.

Peshkaqenët misteriozë të thellësive po zhduken për

Teknologjia moderne dhe rënia e rezervave të peshkut në ujërat bregdetare kanë shtyrë flotat e peshkimit të futen më thellë, duke rritur presionin mbi speciet e thellësive. Popullatat e peshkaqenëve gëlltitës kanë rënë deri në 80% në disa rajone, ndërsa riprodhimi i ngadaltë i tyre e bën rikuperimin tepër të vështirë. Disa specie, sipas shkencëtarëve, do të duhej më shumë se tetë dekada për të rigjeneruar një pjesë të popullsisë së humbur.

Në këtë situatë kritike, shpresë sjell konferenca e 20-të e CITES, që po zhvillohet në Uzbekistan. Propozimi për t’i përfshirë të gjithë peshkaqenët gëlltitës në Shtojcën II të CITES do të thotë rregullim më i rreptë i tregtisë ndërkombëtare, monitorim më i mirë dhe frenim i shfrytëzimit të pakontrolluar.

Peshkaqenët misteriozë të thellësive po zhduken për

Ekspertët theksojnë se ky hap është thelbësor për mbrojtjen e biodiversitetit detar. Edhe pse shumë marka të mëdha kanë kaluar në përbërës bimorë, tregtia e vajit të mëlçisë së peshkaqenëve mbetet ende fitimprurëse. Pa ndërhyrje, këto krijesa të rralla, që nuk riprodhohen si peshqit e tjerë, rrezikojnë të zhduken përgjithmonë. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos