Dikur ishte një prej “zemërthyesve” më të mëdhenj të Hollivudit, i cilësuar si “Brad Pitti francez”, Olivier Martinez sot është larg shkëlqimit të dikurshëm. Aktori 59-vjeçar, i njohur për rolet në filmat Unfaithful dhe S.W.A.T., ka kaluar nga një karrierë e suksesshme në një jetë të mbushur me pak projekte kinematografike dhe beteja të hidhura ligjore.
Martinez fitoi famë në vitin 1995 me filmin The Horseman on the Roof, ndërsa një vit më parë kishte marrë çmimin César për “Aktorin më premtues”. Karriera e tij u pasua nga role në filma të suksesshëm dhe romanca të bujshme, mes tyre me Kylie Minogue dhe Rosie Huntington-Whiteley. Ai u martua në vitin 2013 me aktoren Halle Berry, me të cilën solli në jetë djalin e tyre, Maceo. Çifti u nda në vitin 2016, ndërsa divorci përfundoi vetëm në vitin 2023.
Pas ndarjes, marrëdhënia e tyre u shoqërua nga procese të gjata gjyqësore. Halle Berry ka pretenduar se Martinez mbështetet financiarisht tek pagesat e saj të kujdestarisë dhe se nuk ka treguar angazhim të mjaftueshëm në edukimin e djalit të tyre, i cili sipas saj përballet me vështirësi në shkollë. Në disa raste gjykata ka mbështetur kërkesat e saj, duke e detyruar aktorin të marrë pjesë në terapitë e bashkë-prindërimit.
Nga ana profesionale, Martinez ka luajtur vetëm në tre filma që nga viti 2018, me projektin e fundit Mosquito State në vitin 2020, ndryshe nga sa ndodhte në vitet 2000, kur ai merrte pjesë rregullisht në prodhime të mëdha ndërkombëtare. Aktualisht, aktori jeton në Los Anxhelos, larg vëmendjes së medias dhe pa një lidhje të re të konfirmuar. (A2 Televizion)