Pas 37 vitesh, Anna Wintour po tërhiqet nga posti i kryeredaktores së revistës amerikane Vogue. Mbretëresha e modës e lindur në Britani, po largohet nga roli që e ka mbajtur më gjatë se çdo kryeredaktore tjetër, por mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se ajo do të mbajë pozicione të larta në botuesin e saj.
75-vjeçarja do të vazhdojë të jetë drejtoreshë globale editoriale e Vogue, si dhe drejtuese kryesore e përmbajtjes për kompaninë mëmë të saj, Conde Nast.
Ajo u dekorua me titullin Dame nga Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II për shërbimet në modë dhe gazetari në vitin 2017, dhe u bë Shoqëruese Nderi nga Mbreti Charles në fillim të këtij viti.
Dame Anna njoftoi stafin të enjten se një rol i ri, drejtues i përmbajtjes editoriale, do të prezantohej në American Vogue.
E rritur në Londër, Dame Anna ishte redaktore e British Vogue përpara se të merrte drejtimin e botimit simotër në SHBA në vitin 1988.
Ajo njihet si personi që i dha revistës amerikane Vogue një jetë të re, duke e shndërruar atë në një nga botimet më të mira të modës në botë dhe u vlerësua për riorganizimin e prodhimit të saj, duke përfshirë paraqitjen e modeleve më pak të njohura dhe kombinimin e rrobave të lira me ato të modës së lartë.
Gjatë karrierës së saj të gjatë, Dame Anna është bërë një nga figurat më të njohura dhe me ndikim në industrinë e modës.
Përveç punës së saj me Vogue, ajo ka organizuar edhe Met Gala, një aktivitet për mbledhje fondesh në Nju Jork që tërheq personazhe të famshëm, që nga viti 1995.
Ajo njihet për syzet e saj karakteristike të tipit “bob” dhe syzet e errëta. (A2 Televizion)