I ftuar edhe Kryeministri Rama, George Soros mungon në dasmën luksoze të djalit të tij Alex Soros dhe Huma Abedin

Nga A2 CNN
17 Qershor 2025, 18:06 | Showbiz

Një nga ngjarjet më të bujshme të fundjavës në SHBA ishte padyshim dasma e Alex Soros, djali i filantropit dhe donatorit miliarder të Partisë Demokrate atje, George Soros, me Huma Abedin, ish-këshilltare e afërt e Hillary Clinton. Ceremonia u zhvillua të shtunën në rezidencën madhështore të Alex Soros në Water Mill, Hamptons, ku morën pjesë figura të njohura të politikës dhe showbizit amerikan.

Në mesin e të ftuarve, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, morën pjesë edhe ish-Presidenti amerikan Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij Hillary Clinton, zv.presidentja Kamala Harris me bashkëshortin Doug Emhoff, ish-Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, lideri i shumicës në Senat Chuck Schumer, si dhe kreu i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve Hakeem Jeffries. Nga bota e artit dhe modës, nuk munguan Jimmy Fallon dhe drejtoresha e revistës Vogue, Anna Wintour.

I ftuar edhe Kryeministri Rama, George Soros mungon në dasmën luksoze

Megjithatë, mungesa më e vërejtur ishte ajo e vetë George Soros, babait të dhëndrit dhe një prej figurave më të fuqishme të biznesit dhe politikës në SHBA. Sipas raportimeve të Page Six, Soros 94-vjeçar nuk mori pjesë në ceremoninë e së shtunës, por organizoi një shërbesë intime familjare të premten në shtëpinë e tij në Southampton, së bashku me bashkëshorten Tamiko Bolton. Kjo ceremoni u drejtua nga një rabin dhe një imam, në nderim të besimeve të ndryshme fetare të çiftit - hebraike për Alex dhe myslimane për Huma.

Një burim pranë familjes ka deklaruar se George Soros gëzon shëndet të mirë dhe se vendimi për të mos marrë pjesë në dasmën e madhe nuk kishte të bënte me shëndetin e tij. Në fakt, Alex ndau një fotografi me të atin në rrjetet sociale për Ditën e Babait, ku të dy shfaqen të buzëqeshur dhe i veshur me kostumin e dasmës.

I ftuar edhe Kryeministri Rama, George Soros mungon në dasmën luksoze

Alex Soros u shfaq me një smoking blu nga Dior – një ngjyrë me domethënie të veçantë për të, pasi shpesh ishte veshur njësoj me të atin në takimet e punës. Nga ana tjetër, nusja Huma Abedin shkëlqeu me një fustan elegant Givenchy dhe kishte marrë këshilla të shumta nga mikja e saj e afërt Anna Wintour për organizimin e dasmës.

Historia e dashurisë mes Abedin dhe Soros nisi në vjeshtën e vitit 2023 gjatë ditëlindjes së Nicky Hilton Rothschild, ndërsa fejesa u shpall në maj të vitit 2024 në Nju Jork. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos