Themeluesi i Telegram do t’ua lë pasurinë mbi 100 fëmijëve të tij biologjikë

Nga A2 CNN
20 Qershor 2025, 10:58 | Showbiz

Themeluesi i Telegram do t’ua lë pasurinë mbi 100

Themeluesi i aplikacionit të mesazheve të çastit Telegram, Pavel Durov, thotë se më shumë se 100 fëmijët e tij biologjikë do ta ndajnë pasurinë e tij të vlerësuar në 13.9 miliardë dollarë, sipas BBC.

“Të gjithë janë fëmijët e mi dhe do të kenë të njëjtat të drejta! Nuk dua që të shqyhen mes vete pas vdekjes sime”, tha Durov për revistën politike franceze Le Point.

Durov thotë se është “babai zyrtar” i gjashtë fëmijëve me tre partnere të ndryshme, por ka mbi 100 fëmijë të tjerë pas dhurimit të spermës në një klinikë fertiliteti.

Ai gjithashtu përsëriti se mohon çdo shkelje ligjore në lidhje me akuzat e rënda penale me të cilat përballet në Francë.

Miliarderi rus i teknologjisë në vetë-ekzil i tha gjithashtu revistës se fëmijët e tij nuk do të kenë qasje në trashëgiminë për 30 vjet.

“Dua që ata të jetojnë si njerëz të zakonshëm, të ndërtojnë vetë veten, të mësojnë të kenë besim në vete, të jenë në gjendje të krijojnë, jo të varen nga një llogari bankare,” tha ai.

40-vjeçari tha se kishte shkruar një testament tani, sepse puna e tij “përfshin rreziqe – mbrojtja e lirive të sjell shumë armiq, përfshirë edhe brenda shteteve të fuqishme”.

Aplikacioni i tij, Telegram, i njohur për përqendrimin në privatësi dhe mesazhet e enkriptuara, ka më shumë se një miliard përdorues aktivë në muaj.

Durov foli gjithashtu për akuzat penale me të cilat përballet në Francë, ku u arrestua vitin e kaluar pasi u akuzua se nuk kishte moderuar siç duhet aplikacionin për të reduktuar kriminalitetin.

Ai ka mohuar se ka dështuar të bashkëpunojë me autoritetet për trafik droge, përmbajtje për abuzim seksual të fëmijëve dhe mashtrim. Telegram më parë ka mohuar se ka pasur mungesë moderimi.

Në intervistën për Le Point ai i përshkroi akuzat si “krejtësisht absurde”.

“Vetëm pse kriminelët përdorin shërbimin tonë të mesazheve, ashtu si shumë të tjerë, nuk do të thotë që ata që e menaxhojnë janë kriminelë”, shtoi ai.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos