Një ngjarje e papritur ndodhi për Jennifer Lopez, në një nga qendrat tregtare më luksoze të Stambollit.
Këngëtares së famshme iu refuzua hyrja nga stafi i dyqanit Chanel, në qendrën tregtare Istinye Park, pasi sigurimi nuk e njohu. Sipas mediave turke, JLo po shëtiste në qendrën tregtare së bashku me ekipin e saj të sigurisë kur tentoi të hynte në butikun e Chanel.
Megjithatë, një roje i tha se dyqani ishte i mbushur dhe se nuk mund të hynte. Këngëtarja reagoi me qetësi dhe sportivitet, duke thënë thjesht: “Në rregull, asnjë problem”, përpara se të largohej drejt dyqaneve të tjera.
Pas këtij incidenti, Jennifer u drejtua drejt dyqaneve Celine dhe Beymen, ku kaloi mbi tre orë duke bërë blerje luksoze. Raportet tregojnë se ajo harxhoi mijëra dollarë në veshje dhe aksesorë të markave të njohura, duke mos u ndikuar nga incidenti në dyqanin e Chanel.
E veshur me një kostum rozë tërheqës dhe syze të mëdha të stilit retro, JLo u fotografua nga paparacët teksa hynte në dyqane, e rrethuar nga truproja e saj.
Burime të Chanel për mediat turke tregojnë se stafi e kuptoi më vonë se bëhej fjalë për një yll botëror dhe tentoi ta ftonte përsëri në dyqan, por Jennifer refuzoi ftesën.
Aktualisht, Jennifer është në mes të turneut të saj muzikor "Up All Night Live 2025", ku ka performuar në disa qytete. Në Instagram, ajo ndau disa momente nga koncerti i saj në Stamboll, duke shkruar: “ISTANBUL! Ju ishit një publik fantastik”. (A2 Televizion)