Në moshën 95-vjeçare, legjenda e Hollivudit Clint Eastwood vazhdon të habisë publikun me pamjen dhe energjinë e tij rinore. Aktori, regjisori dhe producenti i njohur jo vetëm që nuk po ngadalëson ritmin, por vazhdon të punojë me pasion edhe në dekadën e dhjetë të jetës së tij. Cili është sekreti i kësaj vitaliteti të jashtëzakonshëm?
Ndryshe nga sa mund të pritet, Clint Eastwood nuk i është drejtuar suplementeve të shtrenjta apo trajtimeve moderne kundër plakjes. Përkundrazi, filozofia e tij e jetës është e thjeshtë: meditim i përditshëm, dietë e ulët në yndyra dhe ushtrime fizike me intensitet të ulët.
Gjithçka nisi kur babai i tij vdiq në moshë të re nga një sëmundje kardiovaskulare. Kjo ngjarje e rëndë u bë një kthesë vendimtare për Eastwood, i cili kuptoi se trupi i shëndetshëm është themel i mendjes së kthjellët dhe jetëgjatësisë.
Që nga ajo kohë, ai ndërtoi një mënyrë jetese të disiplinuar dhe të qëndrueshme. Sipas biografit të tij, Shawn Levy, Clint Eastwood është një “fanatik i palestrës” dhe ka ruajtur për dekada zakone të qëndrueshme për shëndetin, shkruan A2 CNN. Eastwood praktikon që nga vitet ’70 një formë të veçantë meditimi të quajtur Meditim Transcendental (TM), të cilin e bën dy herë në ditë. Sipas Levy, ai e ka ushtruar këtë zakon edhe gjatë xhirimeve më të lodhshme dhe të tensionuara. “Veçanërisht gjatë punës”, shkruan Levy. “Teksa luante rolet e dhunshme si ‘Njeriu pa Emër’ apo ‘Dirty Harry,’ Clint meditonte mes xhirimeve”.
Dieta e Eastwood-it është e thjeshtë, organike dhe e balancuar. Ai ndjek një regjim ushqimor të ulët në yndyra që nga vitet ’50, kur produktet si kosi dhe farat e alfalfa konsideroheshin ekzotike.
Ai shmang ushqimet e përpunuara dhe të skuqura, nuk konsumon ushqime të shpejta si “nachos” apo “chicken wings” dhe ushqimi i tij është “i pastër dhe jeshil.” Mishi i pulës dhe salmoni janë burimet e tij të preferuara të proteinave, ndërsa perimet si brokoli, asparagus dhe zarzavatet me gjethe të errëta zënë një vend të rëndësishëm në dietën e tij.
Eastwood ndjek rregullin 90/10: në 90% të kohës ndjek me përpikëri dietën, por 10% ia lejon vetes të shijojë ushqime që zakonisht do t’i shmangte.
Me kalimin e moshës, Eastwood është fokusuar te aktivitetet e buta fizike. Ai luan golf dhe bën ecje të gjata në natyrë. Në palestër, ai fokusohet më shumë te forma e saktë e ushtrimeve se sa te pesha që ngre, me qëllim ruajtjen e forcës muskulore pa dëmtime.
Shumë nga zakonet e Clint Eastwood përkojnë me stilin e jetës së njerëzve që jetojnë në të ashtuquajturat “Zona Blu”, rajone në botë të njohura për jetëgjatësinë e banorëve të tyre. Këto zona përfshijnë Okinawa (Japoni), Ikaria (Greqi), Nicoya (Kosta Rika), Sardenja (Itali) dhe Loma Linda (Kaliforni).
Banorët e këtyre zonave ndajnë nëntë zakone jetese që ndihmojnë në një jetë më të gjatë, si: aktiviteti i përditshëm, dieta bimore, ndalimi i ngrënies para se të ngopesh plotësisht, besimi, lidhjet familjare dhe sociale të forta, reduktimi i stresit dhe të pasurit një qëllim në jetë. (A2 Televizion)