Aktori Michael Madsen ndahet nga jeta në moshën 67-vjeçare, zbulohet arsyeja

Nga A2 CNN
4 Korrik 2025, 13:57 | Showbiz

Aktori i famshwm amerikan, Michael Madsen, i cili u bë i njohur për bashkëpunimet e tij me regjisorin Quentin Tarantino dhe për rolet e tij të paharrueshme në disa nga filmat më të vlerësuar të dekadave të fundit, ka ndërruar jetë në moshën 67-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga publicistja e tij, Liz Rodriguez, e cila bëri me dije se aktori pësoi arrest kardiak dhe u gjet pa shenja jete në shtëpinë e tij në Malibu të enjten në mëngjes, shkruan A2 CNN. Zyrtarë nga Departamenti i Sherifit në Los Anxhelos konfirmuan për CNN se Madsen u shpall i vdekur në orën 8:25 të mëngjesit me orën lokale dhe se nuk ka dyshime për ndonjë vepër penale.

Michael Madsen ishte një aktor dramatik i mirënjohur, i cili spikati për interpretimet e tij në disa nga filmat më të njohur të Tarantinos, përfshirë “Reservoir Dogs”, “Kill Bill” dhe “Once Upon a Time… in Hollywood”. Me një pamje të ftohtë dhe një qëndrim të qetë por shpesh kërcënues, ai krijoi disa nga figurat më të frikshme në kinematografinë moderne.

Rruga e tij në ekran nisi në fillim të viteve ’80 me role në televizion, përfshirë serialin “St. Elsewhere” më 1983. Më pas kaloi në kinema, ku la gjurmë me rolin e tij në filmin “Thelma & Louise” më 1991. Viti 1992 shënoi fillimin e bashkëpunimit me Tarantinon, kur Madsen interpretoi Mr. Blonde në “Reservoir Dogs”, një rol që e ngriti shpejt në panteonin e aktorëve të respektuar të Hollivudit.

Gjatë karrierës së tij, ai u shfaq në një sërë filmash të zhanrit aksion dhe western, përfshirë “Wyatt Earp” (1994), “Donnie Brasco” (1997), “Die Another Day” (2002), “Sin City” (2005) dhe “The Hateful Eight” (2015).

Jashtë ekranit, Madsen përjetoi vështirësi të shumta personale dhe ligjore. Në vitin 2019 u arrestua për drejtim të makinës në gjendje të dehur, ndërsa më herët, në 2012, pati një incident të dhunshëm me djalin e tij adoleshent. Në vitin 2022, tragjedia goditi rëndë jetën e tij, kur djali i tij Hudson Madsen u vetëvra në Hawaii.

Në intervista të mëparshme, Madsen ka folur hapur për betejat e tij me famën dhe pasojat që ajo kishte në jetën personale. “Fama nuk është ajo që duket”, kishte thënë ai për The Independent në vitin 2020. “Nuk po ankohem, sepse kam pasur një jetë të mrekullueshme. Por nëse nuk je i mbrojtur, ajo mund të të shkatërrojë”.

Madsen ishte ende aktiv dhe kreativ deri në fund. Ai kishte 18 projekte në zhvillim, përfshirë filmat “Resurrection Road”, “Concessions” dhe “Cookbook for Southern Housewives”. Gjithashtu pritej të shfaqej në komedinë “Saturday at the Starlight” dhe në filmin “Oldfellas”, një histori mbi mafiozë të moshuar në një shtëpi pushimi.

Krahas projekteve filmike, Madsen po përgatitej të publikonte edhe një libër me poezi dhe reflektime personale, me titull Tears for My Father: Outlaw Thoughts and Poems. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos