Shuhet legjenda e kinematografisë gjermane

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2025, 15:54 | Showbiz

Shuhet legjenda e kinematografisë gjermane

Aktori gjerman Udo Kier, një nga figurat më të veçanta dhe më ndërkombëtare të filmit europian, ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare në një spital në Palm Springs, Kaliforni. I njohur për fytyrën e tij karakteristike, me tipare të mprehta dhe sy ngjyrë akulli, Kier ishte një artist i rrallë që lëvizi lirshëm mes kinemasë eksperimentale, filmave kult, Hollywood-it dhe “art house”-it. Me mbi 200 filma në karrierë, ai interpretoi nga diktatorë, personazhe historike e deri te vampirë e figura groteske që mbetën në kujtesë.

Shuhet legjenda e kinematografisë gjermane

Kier lindi në vitin 1944 në Këln dhe vetëm pak ditë pas lindjes u shpëtua mrekullisht pasi ai dhe nëna e tij mbetën nën rrënojat e një bombardimi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Para se të hynte në kinema, ai punoi si shitës dhe punëtor në linjat e prodhimit të Ford, paratë e të cilit i përdori për të udhëtuar në Londër. Pikërisht aty nisi gjithçka, pas një takimi rastësor me regjisorin e madh Luchino Visconti dhe aktorin Helmut Berger.

Shuhet legjenda e kinematografisë gjermane

Debutoi në vitin 1966 në komedinë britanike “Road to St. Tropez”, por fama erdhi në fillim të viteve ’70 me filmat kult të Andy Warhol, “Blood for Dracula” dhe “Flesh for Frankenstein”, ku shpalosi intensitetin dhe prezencën e tij të pazakontë në ekran.

Një nga marrëdhëniet më të rëndësishme artistike të karrierës së tij ishte ajo me regjisorin danez Lars von Trier. Të dy punuan për herë të parë në vitin 1988 në filmin “Medea”, ndërsa më vonë bashkëpunuan në projekte të njohura si “Melancholia” (2011) dhe “Nymphomaniac” (2013). Von Trier i besonte aq shumë, sa shpesh i lejonte Kier-it të zgjidhte vetë rolin nga skenari. Aktori shpesh zgjidhte karaktere me humor të zi, me kontradikta të forta njerëzore.

Shuhet legjenda e kinematografisë gjermane

Në Gjermani ai u bë i njohur edhe për lidhjen profesionale dhe miqësinë me Rainer Werner Fassbinder, me të cilin jetoi për një periudhë në Mynih dhe realizoi projekte të rëndësishme si miniserialin “Berlin Alexanderplatz” (1980) dhe filmin “Lili Marleen” (1981). Vdekja e papritur e Fassbinder në vitin 1982 e tronditi thellë.

Hollywood-i e pa talentin e tij më vonë. Në vitin 1991, Gus Van Sant e ftoi të luante në dramën kult “My Own Private Idaho” me River Phoenix dhe Keanu Reeves, duke i hapur rrugën roleve të tjera në kinemanë amerikane. Ai u shfaq në filmin “Blade” (1998), si edhe në komedinë e çuditshme fantastike “Iron Sky” (2012).

Shuhet legjenda e kinematografisë gjermane

Përveç aktrimit, Udo Kier ishte i pasionuar pas artit modern. Ai jetoi për vite me radhë mes figurave të rëndësishme të skenës artistike gjermane si Gerhard Richter e Sigmar Polke, ishte mik i ngushtë i David Hockney-t dhe thuhej se ishte një nga të paktët që e njihte personalisht artistin enigmatik Banksy. Në shtëpinë e tij në Palm Springs mbante vepra të artistëve të mëdhenj si Joseph Beuys, Peter Lindbergh dhe Wolfgang Tillmans, shumë prej të cilave mbanin dedikimin “Për Udo”.

Edhe pas moshës 80-vjeçare, Kier vazhdoi të sfidonte ekranin dhe format klasike të rrëfimit. Ai luajti në serialin “Hunters” (2020) me Al Pacino, në filmin horror fantastik “The Blazing World” (2021), dhe në 2025 u shfaq në thrillerin neo-noir “The Secret Agent” të Kleber Mendonça Filho. Krahas kinemasë, ai huazoi imazhin dhe zërin edhe për videolojën e re të krijuesit Hideo Kojima, “OD”, e cila eksploron kufirin mes filmit dhe lojës. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos