Spiuni serb që mashtroi Hitlerin, Nicolas Cage protagonist në filmin për njeriun që frymëzoi James Bond-in

Nga A2 CNN
22 Tetor 2025, 14:47 | Showbiz

Spiuni serb që mashtroi Hitlerin, Nicolas Cage protagonist në filmin

Aktorin e njohur amerikan Nicolas Cage e ka gjetur përsëri në qendër të vëmendjes një rol i pazakontë. Këtë herë, ai hyn në lëkurën e spiunit serb Duško Popov, njeriut të vërtetë që mendohet se ka frymëzuar shkrimtarin Ian Fleming për të krijuar figurën legjendare të James Bond-it.

Cage, 61 vjeç, ka nisur xhirimet e filmit të ri “Fortitude”, një thriller spiunazhi i vendosur në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, nën regjinë e bashkëpunëtorit të tij të hershëm Simon West. Të dy kanë punuar më parë në filmat “Con Air” (1997) dhe “Stolen” (2012).

Spiuni serb që mashtroi Hitlerin, Nicolas Cage protagonist në filmin

“Fortitude” rrëfen historinë e përpjekjeve të inteligjencës britanike për të mashtruar Gjermaninë naziste, duke e bërë Hitlerin të besonte se zbarkimi i Aleatëve do të ndodhte në Calais, dhe jo në Normandi, operacion i njohur me emrin e koduar Fortitude.

Në këtë plan mashtrimi, Duško Popov, një shtetas serb dhe agjent i dyfishtë, kishte rol vendimtar. I njohur për zgjuarsinë dhe joshjen e tij, Popov njihej në qarqet e inteligjencës për stilin elegant dhe aftësinë për të manipuluar informacionet – cilësi që më vonë do të mishëroheshin në karakterin e James Bond-it. Madje, sipas disa burimeve historike, numri i famshëm “007” lidhet me faktin që kur Popov kërkonte këshilla nga xhaxhai i tij në Beograd, duhej të kujtonte numrin e telefonit 26-007.

Spiuni serb që mashtroi Hitlerin, Nicolas Cage protagonist në filmin

Fotot nga xhirimet e para në fshatrat e Anglisë tregojnë Nicolas Cage të veshur me smoking dhe papion, duke mbajtur një pistoletë ndërsa ndalon një Bentley vintage në rrugë. Brenda makinës ndodhen dy personazhe të tjerë, një burrë dhe një grua e re, e interpretuar nga aktorja amerikane Jenny Watwood në një rol ende të pakonfirmuar. Në një nga skenat, Cage shihet duke e detyruar shoferin të dalë nga makina për të marrë vetë timonin dhe për t’u larguar me pasagjeren e tij.

Filmi pritet të ketë një kast ndërkombëtar ku përfshihen emra të njohur si Matthew Goode, Ed Skrein, Jordi Mollà, Alice Eve, Michael Sheen, Sir Ben Kingsley dhe Art Malik. Për të garantuar saktësinë historike të ngjarjeve, produksioni ka angazhuar historianin Joshua Levine, i cili ka bashkëpunuar më herët me Christopher Nolan në filmin “Dunkirk”.

Xhirimet e “Fortitude” kanë nisur në shtator dhe do të zgjasin deri në fillim të vitit të ardhshëm. Ende nuk është bërë e ditur data e publikimit të filmit, por pritshmëritë janë të larta, si për rikthimin e Cage në një rol të denjë për karrierën e tij të gjatë, ashtu edhe për portretizimin e një figure intriguese që lidh realitetin me legjendën e agjentit më të famshëm në botë. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos