Arka e shtetit, deficiti arriti në 588 milionë euro për 11-mujorin

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2020, 13:17 | Ekonomi

Gropa në buxhetin e shtetit këtë vit është thelluar në 72.7 miliardë lekë, për shkak të shpenzimeve të larta nga njëra anë për tërmetin dhe pandeminë, si dhe performancës së dobët të administratës tatimore nga ana tjetër.


Në arkën e shtetit janë mbledhur deri në nëntor vetëm 382.9 miliardë nga rreth 421 miliardë për të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Më pak para janë mbledhur veçanërisht nga Tatimet e Doganat, 11.1% më pak, duke reflektuar një rënie të fortë ekonomike, siç parashikojnë institucionet financiare ndërkombëtare.


Nga ana tjetër, shpenzimet arritën në 455.6 miliardë lekë, por duke u realizuar vetëm në 79% të planit të rishikuar të buxhetit. Kjo lë rreth 124 miliardë lekë, apo 1 miliard euro për t’u shpenzuar në muajin dhjetor, edhe pse pjesa më e madhe, ajo e fondit të rindërtimit, do të mbartet për vitin e ardhshëm.

Deficiti mbërriti kështu në 588 milionë euro për 11-mujorin, shumë e cila është financuar tërësisht me borxh të ri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos