Radha e refugjatëve nga Ukraina që braktisin vendin e tyre drejt vendeve fqinjë është bërë kilometrike në orët e fundit. Nga raportimet e fundit të shumë vendeve fqinjë, por edhe nga një vëzhgim që ka bërë UNHCR, mbi 200 mijë civilë kanë braktisur vendin dhe po gjejnë strehim në Poloni, Rumani, Sllovaki, Moldavi e Hungari.
Sllovakia dhe Rumania kanë hapur dyert për ukrainasit në këto ditë të vështira për ta. Sipas mediave vendase radha e atyre që kërkojnë të kalojnë kufirin ka shkuar në rreth 15 kilometra.
Ajo që të bie më shumë në sy edhe nga raportimet e mediave ndërkombëtare janë fëmijët. Fytyra të lodhura, në shumë raste me vragat e lotëve që u varen në faqe.
Shumë të tjerë të rraskapitur nga lodhja mbështetur në supet e nënave të tyre. Të uritur dhe me një pafajësi që u lexohet në sytë e trembur, kërkojnë ndihmë për t’ju larguar një tmerri që po gatuhet çdo ditë në vendlindjen e tyre. (A2 Televizion)