
Kryeministri i Kosovës në largim, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së qeverisë, foli për Gjykatën Speciale. I pyetur nëse ky organ drejtësie i ngritur në Hagë do të urdhërojë arrestime në radhët e ish-luftëtarëve të UÇK-së, ai dha një adresë për gazetarët se ku mund të gjejnë përgjigje.
“Për arrestimet nuk di kurrgjë, duhet të pyeten ata që e kanë votuar Gjykatën, dhe thoshin që është e nevojshme”, deklaroi Haradinaj. Ai la dhe një porosi për qeverinë dhe kryeministrin e ardhshëm të vendit.
“Unë e pëlqej parimin e reciprocitetit, por duhet të mbetet taksa me Serbinë, nuk e kuptoj pse duhet hequr dhe këtu habitem me qëndrimin e kujtdo që kthen mallrat serbe pa marrë njohjen”.
Më tej, Haradinaj komentoi edhe takimin me zëvendës ndihmësin e sekretarit të Shtetit, njëherësh të dërguarin special për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. Kryeministri në largim tha se komunikimi me Amerikën është i vazhdueshëm dhe se nuk ka ndryshim qëndrimesh mes palëve. (A2 Televizion)