Arrestimi i Dakos, Kalemaj: Rama e dinte që para 3-4 muaj! S’mund të thotë më se “përgjegjësia është individuale”

Nga A2 CNN
6 Qershor 2023, 20:38 | Politikë
Arrestimi i Dakos, Kalemaj: Rama e dinte që para 3-4 muaj! S’mund

Analisti Ilir Kalemaj ka deklaruar se kryeministri Edi Rama në rastin e Vangjush Dakos, sot i arrestuar me urdhër të SPAK, nuk mund të thotë se “përgjegjësia është individuale”. I ftuar në A2 CNN, Kalemaj tha se Dako ka qenë “makineria elektorale” e Ramës në Durrës, prandaj thekson se edhe vetë Rama është përgjegjës. Madje analisti hedh në tryezë tezën se kryeministri ka qenë në dijeni se ish-kryebashkiaku do të arrestohej që para 3-4 muaj.

“Ky tur ka filluar që nga Durrësi dhe është thënë që duhet të pastrojmë veten nga llumi. Pra Rama e ka ditur arrestin e Dakos prej 3-4 muajsh apo 6 muajsh dhe ka kërkuar mirëkuptimin për shtyrjen në kohë për të mos prishur balancat elektorale në Durrës dhe ka paralajmëruar po në Durrës se ne do shkëputemi nga llumi që drejtësia është e pavarur, duke thënë se Rama është mbi palët, që ka pjesë të korrupsionit majtas dhe djathtas, po kjo nuk e prek atë që është më i pastër se akullorja, po e kapitalizon politikisht një situatë që është e rëndë se është akuzuar edhe për krim elektoral, si person që ka qenë operativi kryesor elektoral i PS në Durrës, prandaj përgjegjësia e Ramës është e plotë dhe s’mund të thuhet që përgjegjësia është individuale, se kjo përgjegjësi është përsëritur pak si shpesh”, u shpreh Kalemaj.

Sot SPAK lëshoi urdhër arresti për ish-kreun e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako me akuzën për korrupsion. Dako u vetëdorëzua rreth orës 16:00 në Drejtorinë e Policisë në Tiranë, duke u vënë në dispozicion të drejtësisë dhe hetimeve të nisura ndaj tij. Përveç Dakos janë lëshuar urdhër arreste edhe për 10 ish zyrtarë të tjerë të Bashkisë, mes tyre edhe ish-drejtori i Urbanistikës, Adhurim Qahajaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos