
Fati i drejtimit të Bashkisë së Kukësit duket të jetë plotësisht enigmatik, pasi jo vetëm se nuk ka një datë se kur do të përsëriten zgjedhjet, por as partitë politike nuk kanë nxjerr kandidatët. Nëse socialistët janë të detyruar për një emër të ri, pasi Gjici përfundoi prapa hekurave, demokratët duken ende të pa vendosur se më kë do të sfidojnë njeriun e Edi Ramës.
“Unë nuk kam asnjë kandidat për Bashkinë e Kukësit. Sapo të shpallet do t’u njohim me kandidatin”, tha Berisha.
Po për Sali Berishën momentalisht më e rëndësishme është hetimi që po bëhet ndaj ish-kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici, për të cilin thotë se ka bashkëpunim me eksponentë të lartë të PS-së, në çështje që sipas tij duhet të jenë objekt i punës së Prokurorisë Speciale.
“I bëj thirrje SKAP-it të partisë të marrë çdo komunikim të Taulant Ballës gjatë viteve të fundit me Gjicin e Edi Ramës. Bëj thirrje të marrë në GPS të gjitha takimet dhe spostimet e tyre. I bëj thirrje të hetojë çdo tender të fituar nga Gjici nga 100 milionë euro, sepse lajmet gumëzhijnë, sepse flitet shumë që këta qenkan të lidhur si mishi me thoin, Taulanti me Safet Gjicin”, tha Berisha.
Berisha nuk dha më shumë detaje për çfarë tenderash bëhej fjalë, duke ia kaluar topin prokurorëve. (A2 Televizion)