Mjekuan Dumanin, arrestohen dy mjekë dhe një ndihmësmjek të Spitalit të Fierit

Nga A2 CNN
31 Mars 2022, 09:48 | Kronikë
Mjekuan Dumanin, arrestohen dy mjekë dhe një ndihmësmjek të

Prokuroria e Elbasanit ka arrestuar dy mjekë dhe një ndihmësmjek të Spitalit rajonal të Fierit, të cilët mjekuan të shumëkërkuarin Nuredin Dumani, pa lajmëruar autoritetet policore për këtë rast.

Për këtë arsye, ndaj personelit mjekësor në fjalë janë ngritur akuzat për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.

Gjithashtu, në kuadër të veprimeve për këtë çështje, Prokuroria e Elbasanit ka arrestuar edhe dy persona të tjerë, që rezultojnë të jenë një shtetase kosovare që bashkëjetonte me Dumanin dhe akuzohet për përkrahje të autorit të krimit si dhe një bashkëpunëtor i Dumanit, që akuzohet për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Sakaq, Prokuroria e Elbasanit po vijon hetimet për implikimin e Nuredin Dumanit edhe në ngjarje të tjera kriminale me pasoja të rënda për jetën e njerëzve.

https://a2news.com/2022/03/30/kapet-nuredin-dumani-u-arrestua-pasi-tentuan-ta-ekzekutonin-ne-elbasan/

Njoftimi i policisë:

Në vijim të veprimeve hetimore në kuadër të operacionit policor të koduar “Arratia”, i realizuar më datë 29.03.2022, nga DVP Elbasan, në bashkëpunim me forcat RENEA, Departamentin e Policisë Kriminale dhe DVP Fier, për kapjen dhe arrestimin e shtetasit në kërkim Nuredin Dumani, i dyshuar për kryerjen e disa vrasjeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: 

J. M., 43 vjeç, banues në Fier, me profesion mjek në qytetin e Fierit, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

B. B., 41 vjeç, banues në Fier, me profesion mjek në qytetin e Fierit, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

E. Gj., 36 vjeç, banues në Fier, me profesion ndihmësmjek në qytetin e Fierit, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

Gjithashtu, në kuadër të këtij operaconi është bërë arrestimi i shtetasve:  

H. H., 40 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; 

M. H., 20 vjeçe, banuese në Kosovë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;

Po në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndaj shtetasit Nuredin Dumani, 35 vjeç, banues në Durrës, e cila i ka caktuar atij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.     

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan është duke hetuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, lidhur me dyshimet për përfshirjen e shtetasit Nuredin Dumani, në vepra të tjera penale apo të lidhjeve të tij me aktivitetet kriminale, me qëllim dokumentimin me prova ligjore dhe zbardhjen e plotë të ngjarjeve për të cilat ka dyshime se ky shtetas mund të jetë autor. 

Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos