Arrestimi i tre policëve nga Serbia, reagon Kosova: Janë rrëmbyer brenda territorit tonë

Nga A2 CNN
14 Qershor 2023, 15:04 | Kosova
Arrestimi i tre policëve nga Serbia, reagon Kosova: Janë rrëmbyer

Policia e Kosovës ka reaguar me urgjencë pasi media serbe Novosti.rs njoftoi se tre pjesëtarë të armatosur të Forcave Speciale të Kosovës janë arrestuar në territorin e Serbisë qendrore.

Në një njoftim për shtyp, autoritetet kosovare sqarojnë se në të vërtetë tre zyrtarë të patrullës kufitare janë rrëmbyer në thellësi të territorit të Republikës së Kosovës, në zonën kufitare me Serbinë.

Aty po ashtu theksohet se tre oficerët e marrë peng kishin raportuar në radio prezencën e individëve të maskuar dhe të armatosur, çka ka bërë që menjëherë të nisen në kufi njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Gjithashtu bëhet me dije se për incidentin në fjalë është vënë në dijeni edhe misioni i KFOR-it, ndërsa kërkohet nga Serbia që të lirojë menjëherë tre oficerët e marrë peng.

“Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së.

Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion.

Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe.

Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës.

Po ashtu edhe media të ndryshme serbe kanë raportuar se pjesëtarët e njësiteve speciale serbe, kanë arrestuar zyrtarët e Policisë së Kosovës. (A2 Televizion)

Reagimi i policisë së Kosovës

A2 CNN Livestream

Latest Videos