“Shtëpia nuk mbahet pa miq”, Vjosa Osmani në PE: Integrimi e mbron Kosovën nga forcat keqdashëse

Nga A2 CNN
14 Qershor 2023, 12:32 | Kosova
“Shtëpia nuk mbahet pa miq”, Vjosa Osmani në PE: Integrimi

“Liri, Pavarësi, Demokraci”, me këto fjalë të ish-presidentit Rugova, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e nisi fjalën e saj në Parlamentin Evropian.

Ndërsa falënderoi partnerët për mbështetjen e pakursyer ndaj Kosovës ndër vite, presidentja Osmani kërkoi një perspektivë të qartë integruese për vendin e saj dhe të gjithë Ballkanin, e cila sipas saj do t’i mbronte nga forcat keqdashëse.

“Ne vijojmë të shohim nga e ardhmja. I kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjithë fqinjëve. Për aq sa na takon mund të them se njerëzit dhe institucionet e Kosovë duan paqe e stabilitet me drejtësi në themelin e saj. Por sigurisht në këtë procesi kemi nevojë për mbështetje evropiane. Kjo kërkon një udhërrëfyes proaktiv që na çon drejt të ardhmes sonë. Përparimi ynë drejt BE-së do të shërbente si katalizor. Edhe pse kemi sfida të sigurisë mund t'i tejkalojmë vetëm përmes aleancave. Pa një perspektivë të qartë të integrimit, vlerat evropiane mund të zbehen. Integrimi i rajonit është me rëndësi strategjike. Kosova nuk është vend i largët, është përbërëse e Evropës. Ballkani është pjesë natyrore e Evropës. Durimi ynë nuk do të shuhet, nuk do të largohemi nga rruga jonë evropiane dhe nuk do të shohim në drejtim tjetër”, tha Osmani.

Presidentja Osmani përsëriti ndër të tjera se Kosova është një ndër vendet më proevropiane në rajon dhe siguroi qytetarët serbë se të drejtat e tyre do të respektohen dhe do të jenë të garantuara.

Një mesazh liderja e Kosovës e pati dhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Kosova është Evropë. Republika jonë lindi në tingujt e Evropës. Në mungesë të himnit, Kosova në ditën e pavarësisë jehoi me Odën e Lumturisë. Ishte deklarata jonë para botës që BE-ja ishte destinacioni ynë i drejtë. Mbi 95% e qytetarëve duan t’i bashkohen BE-së. I gdhendur në Kushtetutë, integrimi mbetet synimi ynë. Në ADN-në tonë fryma e BE-së është e ngulitur dhe këto e kanë frymëzuar të kaluarën tonë.

Sot promovojmë të drejtat e njeriut për çdo qytetar të Kosovës. Iu bëj thirrje të gjithë serbëve në Kosovë që të shfrytëzojnë të drejtat e garantuara. Kosova është shtëpia juaj do të bëjmë gjithçka që të ndiheni të dëgjuar. Ndërtimi i një shoqërie të larmishme mbetet angazhim.

Sot këtu është dhe një delegacion i Preshevës. Iu them që të qëndrojmë pranë jush. Nuk jeni vetëm derisa ballafaqoheni me shkelje të të drejtave të njeriut. Kështu thuhet dhe në rezolutën e fundit të BE-së”, u shpreh presidentja Osmani. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/06/14/osmani-ne-pe-kosova-e-njeh-vuajtjen-e-ukraines-lideret-e-be-te-marrin-vendime-te-guximshme/

A2 CNN Livestream

Latest Videos