
Policia e Shtetit ka vënë në pranga një 41-vjeçar i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, në Tiranë, u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim ndërkombëtar Kristian Sula alias Bledar Gaçi, 41 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Torinos me 9 vjet e 4 muaj burg për trafik të lëndëve narkotike përmes një organizate kriminale.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë. (A2 Televizion)