
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës finalizoi me sukses operacionin antidrogë “Hostage”, ku në fund të tij u arrestua një person dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike e llojit kokainë.
Efektivët e policisë kishin marrë informacion për një person që shpërndante lëndë narkotike në qytetin e Tiranës dhe menjëherë u vunë në survejimin e tij. Pas mbledhjes së fakteve u bë e mundur arrestimi në flagrancë i 41-vjeçarit E.J. të cilit iu sekuestruan disa doza kokainë gati për shitje.
Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit policia sekuestroi rreth 300 gr kokainë, 1500 euro, 46 mijë lekë dhe 14 telefona celularë, të cilët E.J. dyshohet se ua mbante peng personave të ndryshëm për lëndën narkotike. (A2 Televizion)