
Thonë se arti e shpëton shpirtin njerzor në luftë, në izolim, në burg e në karantinë. Kjo është mënyra e vetme që karantina të bëhet më pak e rrezikshme për shpirtin. Por, çfarë ishte parashikuar të ndodhte edhe në Tiranë u mbyll, ashtu si edhe njerëzit. Këngëtarët nuk do të mund të këndonin, balerinët as që mund të kërcenin, duartrokitjet do t’i mungonin më shumë se asnjëherë edhe piktorëve.
Le të kthehemi në ditët e para të karantinës, kur Tirana u mbyll e posterat e shfaqjeve lëkundeshin shesheve bosh të kryeqytetit. “La Boheme” ishte një prej tyre. Reklama ishte përgatitur, madje edhe artistët mezi prisnin të ngjiteshin në skenë. Atë ditë Pallati i Kongreseve ishte bosh, të gjithë spektatorët ishin në shtëpi. Një muaj më vonë, Teatri i Operas dhe Baletit e dha këtë shfaqje, por në ekran, në ekranet e celularit, në atë të kompjuterave, në shtëpitë e shqiptarëve.
Jo vetëm produksione të operas në skenë, por edhe shfaqje baleti apo interpretime nga shtëpia e artistëve. Kështu u premtua dhe kështu ndodhi. Ata që e ndjekin qoftë edhe në Facebook këtë institucion, e dinë që diçka tjetër po përgatitet nga shtëpitë e artistëve.
Edhe fundjavat e kulturës evropiane nuk u ndërprenë. Artistë shqiptarë që jetojnë jashtë nisën të interpretonin “live” nga këndi i tyre më artistik i karantinës. Pianisti Robert Bisha ishte i pari që interpretoi nga Italia. Ramë Lahaj dhe Inva Mula përcollën për herë të parë një bashkëpunim që nuk ishte parë asnjëherë më parë, me ekrane të ndara, me instrumentistët që luanin muzikë, me një lloj produksioni që vetëm një periudhë izolimi mund t’ia rrëfente botës.
E megjithatë, duartrokitjet, klikimet dhe pëlqimet më të mëdha i rrëmbeu Eugent Bushpepa me një “cover” të hitit të Guns ‘n’ Roses. Të nesërmen të gjithë prisnin publikimin e radhës nga këngëtari që netët “live” i ktheu në ditë muzike që mund ta dëgjojmë kurdo.
Edhe çifti Marsela Çibukaj dhe Vitmar Basha premtuan komunikim të përditshëm me fansat e tyre, aq sa ditën kur iu shkëput interneti, dashamirësit e muzikës së tyre pritën ashtu sikurse do të prisnin në radhë për një koncert.
Por, koncertet më të bukura vijon t’i shijojë Tirana. Ndryshe nga sa në bashki të tjera të vendit, kryeqyteti ka pasur mundësi edhe të shijojë muzikë dhe performancë nga ballkonet e shtëpisë.
A2 është përpjekur që këto ditë të sjellë pak art edhe për ata që nuk dinë të përdorin celularin apo nuk kanë akses në internet. Të ftuarit në emisionin e mëngjesit apo në edicionet e lajmeve kanë qenë gati të interpretonin diçka për publikun tonë.
Edhe për ata që janë dashamirës të artit vizual ka një zgjidhje. Vizitat në muze padiskutim që nuk mund të jenë njëlloj si më parë, por padikutim mund të zbulojmë shumçka i ka shpëtuar syrit në një vizitë të vetme.
E megjithatë, libraritë u rihapën. Vetëm dy javë mjaftuan për të kuptuar se libri ishte një ushqim po aq i rëndësishëm për mendjen sa edhe ushqimi për trupin.
Kështu, arti dhe artistët nuk na braktisën as edhe këtë herë. Ata mbërritën nga një kënd në shtëpitë e të gjithë shqiptarëve. (A2 Televizion)