As Pioli s’ka çfarë t’i bëjë këtij Milani, kuqezinjtë dalin pa pikë nga Roma

Nga A2 CNN
27 Tetor 2019, 19:54 | Futboll

Ndoshta është ende herët, por edhe nën drejtimin e trajnerit të ri, Stefano Pioli, Milani sërish nuk arrin të bindë.

Pas ndeshjes së parë me trajnerin e ri, ku dolën barazim në “San Siro” ndaj Lecce-s, kuqezinjtë janë mposhtur në transfertë 2-1 nga Roma në “Olimpico”.

Verdhekuqtë kaluan në avantazh me anë të boshnjakut Dzeko në pjesën e parë, ndërsa me nisjen e 45 minutave të dytë, Milani reagoi duke gjetur golin e barazimit me mbrojtësin Hernandez.

Megjithatë, barazimi zgjati vetëm 3 minuta, pasi Zaniolo shënoi golin e avantazhin për Romën, i cili i dha tre pikët kryeqytetasve.

Pas 9 javëve në Serie A, Roma mban vendin e pestë me 16 pikë, ndërsa Milani është i pozicionuar në vendin e 12 me vetëm 10 pikë. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos