
Dy vjet pasi u bë pjesë e Partizanit, Jasir Asani bën hapin e madh në karrierë. Sulmuesi i kampionëve të Shqipërisë do të transferohet në elitën e futbollit suedez, në radhët e AIK Stokholm.
Klubi skandinav konfirmoi huazimin e 24-vjeçarit deri në fund të sezonit, në qershor të vitit 2020, ndërsa më pas do të vendosë nëse do të blejë apo jo kartonin e futbollistit.
Lojtari do të bashkohet me ekipin e ri prej muajit janar. Edhe Partizani e konfirmoi marrëveshjen, duke njoftuar se Asani do të jetë pjesë e skuadrës edhe për dy ndeshjet e fundit të këtij viti, ndaj Teutës dhe Vllaznisë.
AIK Stokholm ka fituar 12 tituj kampionë të Suedisë, me suksesin e fundit që është regjistruar në vitin 2018, ndërsa është një prej pretendentëve edhe në këtë sezon. (A2 Televizion)