Majmunë në fushatën kundër racizmit, Serie A bën “autogol”

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2019, 11:04 | Futboll

Një poster që duhet të ishte një mesazh kundër racizmit në Serie A duket se ka bërë pikërisht të kundërtën, pasi ka shkaktuar reagime negative për shkak se në të paraqiten tre majmunë me fytyra të pikturuara.

Nuk është momenti më i mirë i futbollit italian, pas problemeve të shumta me koret raciste nëpër stadiume dhe disa komente negative në studiot televizive. Posteri, i ideuar nga artisti Simone Fugazzotto duhet te jepte mesazhin që tifozët të mos imitonin më majmunët në drejtim të lojtarëve me ngjyrë. Ideja i lindi që në maj, pas një ndeshjeje Inter-Napoli, por u prezantua zyrtarisht të hënën si pjesë e një fushata kundër racizmit në futbollin italian.

Fugazzotto tha se përfshirja e majmunëve ishte për të treguar se nuk kishte ndryshime mes tyre dhe njerëzve. “Të gjithë po bënin si majmunë në drejtim të Koulibaly, një lojtar që unë respektoj shumë”, tha Fugazzotto. “Kështu që realizova një majmun perëndimor, me sy blu, një majmun aziatik, me sy bajame dhe një majmun të zi, në mes, prej nga vijnë të gjithë të tjerët, të paktën sipas teorisë së evolucionit”.

Por nisma është kritikuar nga organizata të ndryshme, por edhe disa skuadra të Serie A, si Roma, një lojtar i së cilës, Chris Smalling, u përfshi pak ditë më parë në një tjetër episod të pakëndshëm, ku foto e tij dhe e sulmueist të Inter, Romelu Lukaku, ishin vendosur në faqen e parë të “Corriere dello Sport” me titullin “Black Friday”.

Edhe vetë Lukaku, tifozët e të cilit tek Inter ofenduan Koulibaly, ishte në qendër të sulmeve raciste nga tifozët e Cagliari-t, ndërsa sulmuesi italian Mario Balotelli gjithashtu është ofenduar në kor nga tifozët e Verona-s ndërsa luante për Brescia-n. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos