
Pasi prezantoi në repartin Renea mënyrën se si funksionon paketa anti-KÇK ndaj krimit të organizuar dhe aseteve të tyre, kryeministri Rama bëri me dije se ato do të sekuestrohen nëse nuk justifikohen brenda afateve të parashikuara në ligj.
Kreu i qeverisë deklaroi se një pjesë e këtyre pasurive të sekuestruara do të shkojnë për rritjen e rrogave të policëve, forcimin e kapaciteteve për Policinë e Shtetit dhe për mbështetje për fëmijët e efektivëve të vrarë.
Sipas Ramës, nuk mund të ketë më autokolona “të fortësh” që nisen me autokolona dhe nxjerrin automatikët në plazhe në mes të sezonit turistik.
“Me pasuritë e tyre ne do të rrisim në radhë të parë rrogat e policisë, do të shpërblejmë punën tuaj dhe do të rrisim mbështetjen për fëmijët e policëve të vrarë. Me pasuritë e tyre do të mbështesim Akademinë e Policisë dhe natyrisht me mjetet e tyre motorikë do të shtojmë kapacitetet e policisë. Paketa anti-KÇK parashikon bllokimin e lëvizjes për ta jashtë shtetit, kufizimin e lëvizjes së subjekteve jashtë njësive administrative. Jo të nisen me autokolona makinash nga ana e anës dhe të nxjerrin pushkët në plazhët e Dhërmiut, në pikun e sezonit, kur mblidhen mijëra turistë. Paketa parashikon mospjesëmarrjen e tyre dhe të familjarëve në tendera. Parashikon heqjen e të gjitha licencave që ata disponojnë”, deklaroi Rama. (A2 Televizion)