Asetet kriminale, Kraja: 41 raste konfiskimesh pasurish në proces

Nga A2 CNN
16 Mars 2022, 10:43 | Kronikë
Asetet kriminale, Kraja: 41 raste konfiskimesh pasurish në proces

Kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, vlerëson si domosdoshmëri hartimin e një strategjie për evidentimin e aseteve kriminale, sekuestrimin e tyre dhe më pas kthimin e këtyre pasurive te publiku.

Në konferencën “Forcimi i bashkëpunimit rajonal për kthimin e pasurive”, Kraja deklaroi se ky është synim i SPAK dhe BKH-së, ndërsa nënvizoi se hetimi financiar tashmë është për çdo rast.

“Është e domosdoshme një strategji për evidentimin e aseteve kriminale, pasjen e mekanizmave për marrjen e tyre dhe më pas kthimin e tyre te publiku. SPAK dhe BKH e kanë prioritet këtë. Hetimi financiar është për çdo rast tashmë. Në 2021, bazuar në ligjin antimafia, janë dhënë 5 vendime konfiskimi. Kemi edhe 14 vendime sekuestrosh, është një listë pasurie shumë e gjatë. Në proces penal, në vitin 2021, janë 41 raste konfiskimesh, përfshi resorte në bregdet. Këto pasuri i janë kthyer shtetit”, tha Kraja.

“Risi është përdorimi me efektivitet i fondeve të konfiskuara. Me këto fonde, ne kemi ngritur laboratorin kompjuterik në SPAK”, shtoi Kraja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos