
Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimin e nisur ndaj Mexhit Picarit dhe Dhurata Saliajt, babë e bijë, të akuzuar për vrasjen e Kudret Saliajt, bashkëshortit të Dhuratës. Krimi ndodhi në kohën që çifti ishte në proces divorci, ndërsa në ngjarje mbeti i plagosur edhe avokati Adriatik Cama.
Sipas prokurorisë, babë e bijë janë bashkëpunëtorë në ngjarjen e ndodhur paraditen e 4 qershorit 2020 në verandën e një bari pranë Gjykatës Civile të kryeqytetit. Dinamika e krimit u regjistrua nga kamerat e sigurisë, ndërsa prokuroria ka dokumentuar me pamje filmike edhe lëvizjet e të akuzuarve para dhe pas krimit.
Sipas prokurorisë, babë e bijë kanë udhëtuar drejt gjykatës, ku kanë kërkuar me sy për të parë Kudret Saliajn. Më pas ata janë ulur në të njëjtin bar ku ndodhej Saliaj dhe avokati i tij Cama, disa tavolina larg. Nga pamjet filmike, thotë prokuroria, shquhet se Dhurata është zhvendosur më pranë babai të saj dhe ka afruar një send si një çantë krahu grash dhe duket që Mexhit Picari prek këtë çantë dhe nxjerr armën tip pistoletë me të cilën ka qëlluar më pas drejt Saliajt dhe avokatit. Me gjithë dyshimet e prokurorisë për bashkëpunim, në dosjen e prokurorisë, babë e bijë kanë dhënë dëshmi kontradiktore për ngjarjen.
“Jam ulur në një tavolinë vetëm, ndërkohë kam parë se në lokal erdhi dhe Kudreti. Ai ka kaluar afër meje dhe kur më pa dhe më njohur ka reaguar shumë negativisht, duke më sharë dhe ofenduar në lidhje me marrëdhënien që ai ka me vajzën time. Duke qenë se dhëndri im Kudreti ka precedentë penalë në shtetin grek, si edhe është person i dhunshëm, kisha dijeni se ai mund të mbante armë me vete. Sapo e kam parë që po ulej në një tavolinë aty afër meje, unë nga frika se mos më qëllonte dhe nga mënyra e reagimit të tij të ashpër nxora pistoletën që e mbaj me vete, që në atë moment ishte pa karikator, me shpejtësi i kam vënë karikatorin dhe e kam qëlluar me armë. Ky moment ka qenë shumë depresiv dhe isha shumë turbull për veprimin që bëra”
Mexhit Picari, i akuzuar
“Babai është ulur i pari në lokal dhe pas tij unë. Kemi porositur ujë. S’kemi folur asgjë tjetër. E vetmja këshillë që më dha ishte të rrija e qetë në gjykatë. Kamerieri solli porosinë dhe piva pak ujë dhe vetëm kur babai është çuar nga tavolina ku ishim ulur bashkë. Nuk më tha gjë e as unë nuk e pyeta se ku po shkonte. Mendova se po shkonte në tualet. Më pas kam dëgjuar krisma arme direkt, mbasi është çuar babai. Kam fiksuar 3 ose 4 të shtëna arme edhe më shumë dhe kam kthyer kokën. Kam parë babain duke i drejtuar pistoletën një personi, që duket si bashkëshorti im. Unë u tremba dhe kam dërguar të bërtitura njerëzish. Nuk e mendoja kurrë që babai im do të bënte një gjë të tillë”
Dhurata Saliaj (Picari), e akuzuar
Sipas hetimit, një ditë përpara ngjarjes është shënuar një konflikt i ashpër verbal mes Dhurata Saliajt e familjarëve të saj nga njëra anë dhe Kudret Saliajt e avokatit të tij, teksa të parët kishin shkuar të merrnin sendet e tyre tek shtëpia ku jetonte më parë çifti. Nga ana e të akuzuarës dhe familjarëve janë ngritur pretendime se mungonin disa bizhuteri e sende me vlerë. (A2 Televizion)