Asgjësohen 583 fidanë cannabis në Vaun e Dejës, në kërkim autori, procedohet kryeplaku

Nga A2 CNN
11 Qershor 2023, 10:58 | Kronikë

Policia e Shkodrës ka goditur një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike në Vaun e Dejës. Si rezultat i kontrolleve, bazuar dhe në inteligjencën informative, janë evidentuar dhe asgjësuar nëpërmjet djegies në fshatin Mnelë e Vogël, 583 fidanë të dyshuar cannabis sativa. Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të kultivimit të këtyre fidanëve, si edhe ka proceduar penalisht kryeplakun e fshatit Mnelë e Vogël, për shpërdorim të detyrës.

Njoftimi i Policisë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në vijim të kontrolleve të ushtruara  nga toka dhe nga ajri, me dronë të Policisë,  bazuar dhe në inteligjencën policore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Mnela”, kanë konstatuar në fshatin Mnelë e Vogël, 583 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, të cilët u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një pjesë e vogël e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nga veprimet e shpejta hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar të këtij rasti kultivimi, konkretisht të shtetasit N. Gj., banues në Lezhë. Vijon puna për kapjen e tij.

Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin P. Gj., kryeplak i fshatit Mnelë e Vogël, Vau i Dejës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos