
Familjarë të Leonard Theodhorit dhe Fatmir Sulovarit kanë “trokitur” ditën e sotme në dyert e Drejtorisë së Policisë në Tiranë, ku kërkojnë të dinë më shumë për fatin e të afërmve të tyre, të zhdukur që nga fillimi i prillit.
Ato mbajnë në duar foto të Theodhorit dhe Sulovarit ku shkruhen “të zhdukur”. Të afërmit kërkojnë nga shteti që të nisin kërkimet për gjetjen e tyre, e ndërsa tha se nuk do të ndalojnë deri sa të marrin një përgjigje.
Ndërkohë, mësohet se 3 prej tyre u morën në zyrë nga kryepolici Muhamet Rrumbullaku. Në përfundim të takimit, vëllai i Fatmir Sulovarit, Gëzimi tha se morën garanci nga policia që do të vijojnë kërkimet. Për mediat, Gëzimi tregon se nuk ka asnjë konflikt me askënd.
“Na thanë do të vazhdojmë kërkimet, jam vëllai i madh i Fatmirit. Në datën 6 prill, ka qenë kontakti i fundit, nuk kemi vërejtur asnjë shqetësim, nuk kemi pasur asnjë problem, kemi pasur shumë probleme të vogla, po jo deri në këtë pikë”, tha ai.
Gëzim Sulovari ka treguar edhe për lidhjen që vëllai i tij, Fatmiri ka pasur me të zhdukurin tjetër, Leonard Thodhori
“Leonardin e ka pasur të njohur, nuk ka pasur një lidhje të ngushtë. Unë si Gëzim nuk e kam dëgjuar”, shtoi vëllai i një prej të zhdukurve.
Në fund, ai thekson se nuk ka asnjë dyshim mbi askënd, e ndërsa shton se për kërkimet personale që kanë bërë në disa vende në Sarandë, kanë qenë mbi bazën e “fjalëve të njerëzve”.
“Nuk e kam idenë e konflikteve të tokës. Shkuam në Vrinjë se dëgjuam llafet e njerëzve, dëgjuam llafe njerëzisht jo se kemi një gjë të saktë”, përfundoi ai.
Pas këtij takimi dhe garancisë së marrë nga Policia, ato u larguan.
Kush janë të zhdukurit
Leonard Thodhori, 52 vjeç i njohur si “Koçole”. I dënuar disa herë. I dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997, ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent në automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini, para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo.
I arrestuar po atë vit për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas për “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i përfshirë në trafik lëndësh narkotike.
Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 45 vjeç. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar në prill 2022 në Lushnjë, pasi në mjetin e tij “BMW” X5 u gjet një sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.
“Sarandë: Në Komisariatin e Policisë Sarandë, është kallëzuar nga shtetasi G. P., 53 vjeç, banues në Fier, se ka humbur kontaktet me vëllanë e tij, shtetasin F. S., 45 vjeç, banues në Sarandë. Gjithashtu është kallëzuar nga shtetasja E. Th., 76 vjeçe, banuese në Sarandë, se ka humbur kontaktet me djalin e saj, shtetasin L. Th., 52 vjeç, banues në Sarandë. (A2 Televizion)