
Të gjithë futbollistët në dispozicion dhe asnjë i infektuar nga koronavirusi. Pas konfirmimit të përgjigjeve nga testi i tamponit, ku të gjithë futbollistët dhe stafi teknik rezultuan negativë, Kombëtarja u nis drejt Kazakistanit, për sfidën e 11 tetorit.
Udhëtimi është i gjatë, me distancën prej afro 3,700 kilometrash, që do të përshkohet për më tepër se 5 orë. Menjëherë, skuadra do të akomodohet në hotel, për të zhvilluar edhe seancën stërvitore, por ku më tepër rëndësi do t’i kushtohet rikuperimit fizik nga lodhja e udhëtimit.
Sapo u konfirmua prezenca në skuadër e portierit Etrit Berisha, Shqipëria humbi gardianin Thomas Strakoshën. 25-vjeçari i Lazio-s është i dëmtuar, ashtu sikurse edhe sulmuesi Myrto Uzuni dhe mbrojtësi Jon Mresinaj.
Ekipit, ndërkohë, i është bashkuar sulmuesi i Juventusit, Giacomo Vrioni. Fakti që kampionët e Italisë i dhanë lojtarit kuqezi leje për t’iu bashkuar Kombëtares, bëri që talenti tjetër i sulmit, Emiljano Bullari i Olympiakos të kthehet në dispozicion të përfaqësueses së 21-vjeçarëve. (A2 Televizion)