
Pjesëtarë të shoqërisë civile, zyrtarë të qeverisë, liderë të partive politike dhe diplomatë do të marrin pjesë sot në diskutimin e organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Pjesëmarrjen në të e kanë konfirmuar përfaqësuesit e Kryeministrisë dhe Presidencës, por edhe të dy partive opozitare në Kosovë, LDK dhe PDK.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, kundërshton themelimin e Asociacionit, ndërsa Serbia këmbëngul që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ndërkaq, SHBA-ja ka argumentuar se ka ardhur koha që të formohet Asociacioni.
“Qëllimi ynë është të avancojmë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha për Radion "Evropa e Lirë", zëdhënësja e ambasadës amerikane në Prishtinë, Katherine Judd, teksa u pyet për diskutimin e organizuar më 31 janar. (A2 Televizion)