
Ajo është një grua e bukur, e lakmuar gjithnjë nga burrat. Por kjo nuk e bën të lumtur. Ai, violinisti, profesori, intelektuali, është një burrë i ndjeshëm, burri i një gruaje që të gjithë e vështrojnë si trofe. Ajo kishte një pardesy të kuqe, më të bukurën në qytet. Ata nuk kanë fëmijë. Po humbasin edhe njëri-tjetrin. Në këtë izolim brenda shtëpisë së tyre, ata do të bëhen gjykatës e xhelatë të njëri-tjetrit pasi presin Sigurimin e Shtetit.
“Ata hyjnë pa trokitur”. Kështu quhet shfaqja e njëkohësisht edhe drama e shqiptarëve që jetuan në Shqipërinë e terrorit, në Shqipërinë komuniste. Për misionin e shfaqjes, regjisori Armand Bora e ka zhvendosur këtë herë pritjen e këtij çifti te "shtëpia me gjethe", një ndërtesë simbol e survejimit dhe përgjimit të asaj kohe. Frika, izolimi dhe përpjekja për t’i mbijetuar torturave që ende s’kanë nisur tregon një tjetër diktaturë, një lidhje që publiku e ndjen sapo mbërrin në oborrin e pasëm të kësaj godine në kryeqytet.
Intervistat për "shtëpinë me gjethe", historia e këtij çifti që është izoluar në shtëpi duke pritur Sigurimin e Shtetit për t’i dënuar, nis me kambanën që bie tetë herë nga kisha përballë... por, publiku jo vetëm që shijen e parë të shfaqjes e ka marrë që nga hyrja në "shtëpinë me gjethe", por edhe nga vështrimet e aktorëve, që janë duke pritur shumë më herët jo vetëm ata që të vijnë pa trokitur, por edhe publikun. Ata të dy janë ulur dhe po presin, shumë më parë se kambana të bjerë.
"Ata hyjnë pa trokitur", është titulli i një drame që ka thuajse tetë vite që interpretohet, por që gjithnjë jehon njëlloj më fort se më parë.
Alfred Trebicka e Rozi Kostani dalin jo pak herë nga skena për të parë ndjesinë e publikut mbi këtë të shkuar. Shfaqja është e mbushur me simbole që e lidhin njeriun me pushtetin dhe frikën prej një sundimi absurd. Valixhet shpalosin rrobat njëlloj si kujtimet e tyre, njëlloj si jetën e tyre. Telefoni duhet të lajmërojë ardhjen e tyre, po ku është parë që ata të njoftojnë për torturat që të presin? Pardesyja e varur, ajo që ishte njëlloj për të gjithë, simbolizon fshehjen e ngacmimeve që mund t’i bëhet një gruaje të bukur, atë që shndrin në qytet sepse ka një pardesy të kuqe, ndryshe nga gjithë të tjerat.
Dritaret e mbyllura simbolizojnë izolimin nga të gjithë ata që përgjojnë, ndërsa televizori i ndezur ku trumbetohen sukseset e partisë është pa zë në këtë shtëpi, ku jeton një çift pa fëmijë. Ata kanë zgjedhur të jetojnë vetëm, sepse njeriu i ri i krijuar nga partia nuk është ç’ka ata janë apo duan të jenë. Ajo nuk ka dashur të ketë fëmijë për të mos prishur trupin e bukurinë. Por, ajo donte ta adoptonte një. Ai nuk ka dashur të ketë fëmijë, që kur të dënohet të mos vuajë edhe fëmija. Ata janë vetëm, por përpiqen…
Ndonëse një shfaqje e suksesshme, të tre protagonistët e veprës tregojnë se është e trishtë që ne kemi të njëjtën qasje për të shkuarën dhe raporti me komunizmin mbetet ende ky që kemi për një shfaqje. (A2 Televizion)