Pas tërmetit tragjik, fillon rindërtimi i qytetit të ri në Shijak

Nga A2 CNN
19 Shtator 2020, 13:33 | Aktualitet
Pas tërmetit tragjik, fillon rindërtimi i qytetit të ri në

Bashkia e Shijakut është bashkia e parë që do të nisë hapjen e themeleve për ndërtimin e pallateve, të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit të shkuar.

Shijaku është një ndër epiqendrat e vazhdueshme të lëkundjeve sizmike të nëntorit të kaluar, që pësoi dëmtime të mëdha në banesa private dhe pallate.

Lagjja “Lugina”, e rrënuar tërësisht nga kjo fatkeqësi natyrore, do të ketë një pamje tërësisht të re. Banorët e mbetur të pastrehë nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit, tregojnë se këto 10 muaj kanë qenë të vështirë, por mbeten me shpresën që ndërtimi i banesave të reja të bëhet sa më shpejt.

Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, pohon se procesi po ecën me ritme të shpejta dhe po punohet intensivisht që banorët t’i rikthehen normalitetit në banesat e tyre të reja. Madje, ai përcakton edhe afatet se kur banorët e Shijakut do të kenë gati banesat e reja.

“Janë 30 pallate për të shembur. Shijaku do të ketë një pamje krejtësisht të re. Kemi afate edhe për objektet individuale, të cilat deri në dhjetor 2020 do të hyjnë në shtëpitë e tyre. Nga nisja e themeleve, pallatet do të përfundojnë për një vit e gjysmë”, thotë për A2 Elton Arbana, kryetar i Bashkisë Shijak.

Kreu i Bashkisë së Shijakut garantoi se të gjithë banorët që kanë mbetur pa banesa për shkak të tërmetit do të trajtohen me bonusin e qirasë deri sa të hyjnë në shtëpinë e re. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos