Shtabi i Përgjithshëm i FA me drejtues të rinj, Xhaçka: Meritokraci e profesionalizëm

Nga A2 CNN
19 Shtator 2020, 11:14 | Aktualitet

Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë që sot një staf të ri drejtues, pas emërimit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Gjeneralmajor Bajram Begaj. Në një takim me drejtuesit e rinj të Shtabit të Përgjithshëm të FA, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka foli për vizionin e një FA moderne, të ndërtuar mbi meritokracinë e profesionalizmin për t’i dhënë standardet që i takon një vendi anëtar të NATO.

Sipas ministres Xhaçka, FA sot operon me dinjitet e standarde krah për krah ushtrive më të fuqishme në botë në misione nga Afganistani e deri në Mali.

Reformimi i emergjencave civile, modernizimi përmes investimeve në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimit me aleatët e partnerët, arsimimi dhe trajnimi financiar i FA janë renditur nga ministrja e Mbrojtjes si disa prej fushave ku janë shënuar hapa të rëndësishëm e me rezultate pozitive e me ndikim të drejtpërdrejtë në atë që Forcat e Armatosura janë sot.

“Ia kemi dalë të rrisim trajtimin financiar dhe të rikthejmë kompensimin e ushqimit për 4000 efektivë të FA. Çka padyshim nuk mjafton, por është një hap i parë rëndësishëm drejt një trajtimi më dinjitoz e më vlerësues të kujtdo që shërben në FA”, theksoi ministrja e Mbrojtjes.

Ajo kërkoi nga stafi i ri bashkëpunim dhe përkushtim për të rritur profesionalizmin në radhët e FA, që shumë shpejt do të hapë dyert për herë të parë për të gjithë ata të rinj që duan të ndjekin studimet për shkenca ushtarake. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos