
Atalanta mori vendin e dytë në Serie A falë fitores me goleadë 6-2 përballë Brescia. Bluzinjtë e Gasperinit janë të papërmbajtshëm, ndërsa nuk njohin humbje që prej 20 janarit dhe e vetmja ndalesë prej rikthimit të futbollit ishte ajo përballë Juventus e pak ditëve më parë.
Bergamaskët hasën rezistencën e Brescia-s së Emanuele Ndojit, i cili nuk u aktivizua, që është praktikisht e rënë në Serie B, por vetëm për pak minuta pas barazimit të miqve. Prej minutës së 25-të, Atalanta mori nën kontroll frenat e lojës duke shënuar me tepër lehtësi.
Protagonist kryesor ishte Mario Pasalic me 3 gola, ndërkohë që rrjeta u tund edhe nga De Ron, Malinovksi dhe sulmuesi Duvan Zapata.
Sulmi i Atalanta-s është inpresionues teksa ka shënuar plot 93 gola, mbi 20 gola se rivalët e Juventus, Inter apo Lazio. Reparti ofensiv i bluzinjve është aktualisht më i miri në të gjitha kampionatet kryesore dhe aktive të Europës.
Në Serie A, skuadra e Berat Gjimshitit qëndron 6 pikë pas Juventusit dhe 2 pikë më shumë se Inter dhe Lazio që kanë një ndeshje më pak. (A2 Televizion)