Atentat ndaj Gentjan Bejtjës, vritet kunati dhe plagosen dy fëmijët e mitur të shënjestrës

Nga A2 CNN
4 Korrik 2023, 11:14 | Kronikë
Atentat ndaj Gentjan Bejtjës, vritet kunati dhe plagosen dy

Fushë-Kruja është tronditur nga breshëritë e armëve në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte.

Persona ende të paidentifikuar në fshatin Larushk kanë qëlluar me breshëri në drejtim të banesës së Gentian Bejtjës, një person i njohur nga policia për të kaluarën e tij. Për pasojë, nga breshëritë e plumbave ka humbur jetën kunati i Gentjanit, Ramazan Sino, 29 vjeç, si dhe janë plagosur dy fëmijët e Gentjan Bejtjes, përkatësisht 13 dhe 8 vjeç.

Të dhënat paraprake bëjnë me dije se fëmija 8-vjeçar është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa fëmija tjetër, 13 vjeç, ka marrë plagë më serioze dhe po mbahet nën kontrollin intensiv të mjekëve në Spitalin e Traumës, në Tiranë.

Policia, pak minuta pas kësaj ngjarjeje të rëndë, ka gjetur të djegur automjetin me të cilin kanë lëvizur atentatorët, ku brenda të cilit kanë gjetur edhe armë automatike. Burime policore kanë hedhur dyshime se ky atentat ka patur në shënjestër Gentjan Bejtjan, ndaj të cilit ishin organizuar më parë dhe dy atentate të tjerë me eksploziv dhe me armë, por që ka mundur t’i mbijetojë.

Ndërsa ky atentat rezultoi edhe më i rëndi, pasi shkaktoi një viktimë si dhe ka plagosur dy fëmijët e mitur të Gentjanit. E kaluara e këtij të fundit, i cili i shpëtoi edhe atentatoit të tretë, është pista kryesore që po ndjek policia për identifikimin e autorëve dhe motiveve të kësaj ngjarjeje. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/07/04/atentati-ne-kruje-policia-jane-plagosur-dy-te-mitur/

A2 CNN Livestream

Latest Videos