
Për ish-drejtuesit e Policisë së Shtetit vrasjet dhe atentatet mafioze, ndonëse po tregojnë forcën e grupeve kriminale, po nxjerrin në pah dhe pamundësinë e policisë për të parandaluar ngjarje të tilla.
Nga janari e deri në maj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë kanë ndodhur 23 vrasje prej të cilave 10 janë atentate mafioze dhe që vijojnë të mbeten të pazbardhura.
Statistikat si një tregues i rëndësishëm i sigurisë publike, vijojnë të kenë përmirësime në vitet e fundit, krahasuar me vitet 2010, 2011 apo 2013. Por nga ana tjetër, ngjarjet kriminale në vend, siç janë vrasjet me dashje kanë një nivel relativisht të ulët zbulueshmërie.
Të dhënat nga Policia e Shtetit tregojnë se efektshmëria në zbulimin e tyre ka pësuar luhatje në dekadën e fundit, ku trendi ka qenë rënës. (A2 Televizion)