
Kryeministri i Australisë, Scott Morrison është përfshirë në polemika të mëdha. Ai braktisi vendin për të shkuar me pushime në Hawaii këtë javë, ndërsa vendi përjetoi një përkeqësim të krizës me zjarret e fuqishme që po djegin vendin prej shumë javësh.
Morrison kërkoi falje publike, por edhe kjo nuk shërbeu për të shuar protestat e qytetarëve.
“Më vjen shumë keq për çdo fyerje që mund t’iu ketë shkaktuar largimi im dhe i familjes sime, australianëve të shumtë të prekur nga flakët e tmerrshme”, tha kryeministri Morrison.
Flakët janë përhapur në të gjithë Australinë, ndërsa vala e të nxehtit prodhoi dy ditët më të nxehta të regjistruar ndonjëherë me termometrin që shënoi 50 gradë Celcius. Dy zjarrfikës vullnetarë humbën jetën në një aksident rrugor ndërsa po udhëtonin drejt një vatre zjarri në afërsi të Sidney.
Kryeministri Morrison tha se do të përfundojë pushimet e tij dhe se do të kthehej në vend, por mungesa e tij zemëroi pa masë qytetarët. Australia ka shpallur gjendjen e emergjencës për shkak të zjarreve që kanë vrarë 8 persona, shkatërruar mbi 700 ndërtesa dhe shkrumbuar miliona hektarë tokë bujqësore dhe pyje, që prej muajit shtator. (A2 Televizion)