
Vendimi i Dhomës së Përfaqësuesve për nisjen e procesit të shkarkimit të presidentit amerikan Donald Trump, është më i nxituari dhe i padrejti në histori, sipas liderit të republikanëve në Senat, Mitch McConnell. Sipas tij, Dhoma e Përfaqësuesve e kryesuar nga demokratët mund të krijojë një precedent toksik që do të jehojë edhe në të ardhmen.
“Përgjatë 12 javëve të fundit, Dhoma e Përfaqësuesve zhvilloi hetimin më të nxituar, të pamenduar dhe të padrejtë për shkarkimin e Donald Trump, në historinë moderne. Procesi i shkujdesur u mbyll më vendimin e parë të njëanshëm për inkriminimin e një presidenti, që prej fillimit të luftës civile”, tha Mitch McConnell.
Por demokrati Chuck Schumer, tha se McConnell kishte hezituar të mbronte veprimet e presidentit, duke ju frikësuar dëshmive.
“Ne pyesim, a është rasti i presidentit kaq i dobët sa askush prej njerëzve të tij nuk mund të mbrojë nën betim. Nëse rasti është kaq i dobët pse McConnell ka kaq shumë frikë nga dëshmitarët dhe dokumentet”, deklaroi Chuck Schumer.
Të mërkurën, Dhoma e Përfaqësuesve votoi pro “impeachment” dhe miratoi dy akuza kundër presidentit, për abuzim të pushtetit dhe pengim të punimeve të Kongresit lidhur me skandalin e Ukrainës. Trump përballet tani me një gjyq në Senat, por Senati kontrollohet nga republikanët dhe shkarkimi i tij ka shumë pak gjasë të ndodhë.
Demokratët dhe republikanët duhet të dakordësohen se si do të zhvillohet gjyqi. McConnell tha më herët se nuk ka asnjë shans, që Senati të shpall fajtor Trump, dhe sugjeroi se mund të shfrytëzojë shumicën republikane për ta mbyllur procesin pa dëshmi. Kreu i demokratëve në Senat, Schumer e kritikon idenë dhe këmbëngul në thirrjen e dëshmitarëve. (A2 Televizion)