
Ndeshjet e Australian Open do të pezullohen nëse ajri në fushë rezulton më i ndotur nga niveli mesatar. Ky është vendimi autoriteteve që organizojnë turneun tenistik prestigjioz, pas flakëve që kanë që përfshirë Australinë prej muajsh.
Nëse ajri do të arrij nivelin dyqind që përkthehet në shkallën e pestë të ndotjes atëherë ndeshjet do të ndalen. Nëse ndotja do t’i takojë nivelit të katërt, atëherë do të diskutohet mes organizatorëve dhe shërbimit mjekësor nëse është i sigurt vijimi i aktivitetit.
Gjyqtari do të ketë të drejtën e ndërprerjes së takimit nëse do ta shohë të arsyeshme. Pak ditë më parë, tenistja sllovene, Dalila Jakupovic, u detyrua të tërhiqet nga ndeshja teksa ndjeu shqetësime në frymëmarrje dhe e pati të pamundur vazhdimin e garës.
Tenistë të ndryshëm ndërkohë, përfshirë edhe Roger Federer kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë fenomen. Australian Open, një nga turnetë “Grand Slam” më të rëndësishëm në tenis, starton këtë të hënë në Melburne. (A2 Televizion)