
Autoriteti i Dosjeve konfirmon që ish-presidenti Ilir Meta, ka qenë bashkëpunëtor me Sigurimin e Shtetit në kohën e diktaturës komuniste, por pa dhënë detaje për rolin e tij.
A2 CNN ka lexuar kërkesën që Autoriteti i ka dërguar Kuvendit për miratimin e disa ndryshimeve ligjore, ku kërkon që të ketë mundësi të riverifikojë figurat që janë pajisur më parë me certifikatë të pastërtisë së figurës. Në të konfirmohet se emri i Metës ka rezultuar në dosjet e Sigurimit të Shtetit.
“Në vijim të kërkesave dhe propozimeve tona të mëparshme, por sidomos duke marrë nxitje nga denoncimi më i fundit i ardhur në institucionin tonë mbi pastërtinë e figurës së një prej personaliteteve më të larta të shtetit, siç është Presidenti i Republikës, Ilir Metaj, i pajisur me certifikatë të pastërtisë së figurës nga Komisioni Mezini dhe Bezhani, e konfirmuar nga ana jonë me vendim të datës 28.04.2017, rezulton se në fakt figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit. Nëse institucioni do të ishte në kushtet e riverifikimit të pastërtisë së figurës së shtetasit Ilir Metaj, gjë të cilën nuk na e lejon neni 29, pika 4, e ligjit funksional, rezultatet e kërkimit do të ndryshonin”
Autoriteti i Dosjeve, drejtuar Kuvendit
Pasi u njoh me kërkesën e Autoritetit të Dosjeve, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, zhvilloi takime me krerët e grupeve parlamentare, të cilët i njohu me materialin.
Një ditë më parë, ish-zëdhënësi i Metës, tani bashkëpunëtor në Partinë e Lirisë, Tedi Blushi, reagoi duke i lënë Autoritetit barrën e provës, si dhe ironizoi faktin se Autoriteti e publikoi njoftimin dhe ftesën për ndryshime ligjore një ditë pasi Meta u rikthye në politikë. (A2 Televizion)