Avioni i Luftës së Ftohtë “ringjallet” pas 12 vitesh

Nga A2 CNN
22 Dhjetor 2020, 17:01 | Bota

Një avion B-52H është bërë bombarduesi i dytë Boeing që rikthehet në fluturim pasi ishte lënë në harresë në “varrezën e avionëve” për 10 vite, pas 17 mijë orësh fluturim. Avioni në fjalë ishte lënë në varrezën e quajtur “Boneyard”, në bazën ajrore “Davis-Monthan” në Arizona, ku do të përdorej për pjesë këmbimi, por në maj 2016, pas rrëzimit të një avioni bombardues amerikan B-52H, u vendos që ai të rikthehej në fluturim.

Edhe pse në atë incident në Guam shpëtuan të gjithë pjesëtarët e ekuipazhit, flota amerikane mbeti me një avion mangët, çka detyroi autoritetet të miratonin “ringjalljen” e avionit të “vdekur”. Punimet për riaktivizimin e tij nisën në vitin 2018.

Për riparimin u punësuan rreth 20 ekspertë. Gjatë procesit avioni thuajse u çmontua i gjithi dhe çdo pjesë u inspektua për të mos lejuar asnjë defekt të mundshëm të kalojë pa u vënë re. Në datat 14 deri në 18 dhjetor, avioni kreu edhe fluturimet testuese dhe sipas autoriteteve është gati për t’u rikthyer në shërbim që prej muajit janar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos