Nuk është një moment plot fat për Angela Merkel.
Mos të mjaftonin debatet e brendshme në Berlin dhe ato në skenarin ndërkombëtar, kancelarja gjermane pësoi dje edhe një tronditje tjetër me defektin e pësuar nga avioni zyrtar që po e transportonte në Argjentinë për mbledhjen e G20.

Avioni me emër Konrad Adenauer, në homazh të shtetarit të madh gjerman, po kalonte në qiellin sipër Amsterdamit kur papritur, sipas të dhënave ende të paqarta të autoriteteve, gjithë sistemet e komunikimit të brendshëm dhe të jashtëm pësuan defekt, duke izoluar faktikisht një nga liderët e botës.

Defekti u cilësua nga pilotët si “i rëndë”, dhe autoritetet e aviacionit si dhe Ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen u informuan vetëm falë një telefoni satelitar.

Avioni u ul me emergjencë në Këln, kurse Merkel u detyrua të kaloi natën në Bonn dhe jo në Buenos Aires ku mendonte të merrte pjesë në ceremoninë e hapjes të takimit me liderët e vendeve më të rëndësishme në botë.
Për shkaqet e avarisë ka ende mister, por autoritetet gjermane kanë përjashtuar hipotezën e sulmit kibernetik. (A2 Televizion)